Lajme

Intervistë e Albanian Post me Ulf Brunnbauer nga Universiteti i Regensburgut: Kosova kurrë s’ka qenë më e mbrojtur nga perëndimi, por Kurti mos të gënjehet


Foto ilustruese/Ulf Brunnbauer

Ulf Brunnbauer, profesor i historisë në Universitetin e Regensburgut dhe drejtor i Institutit Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore, në një intervistë për Albanian Post, shpalos pikëpamjet e tij rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, rolin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe sfidat e nacionalizmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë Brunnbauer, për shkak të luftës në Ukrainë, pas neglizhencës së treguar ndaj ciklit të problemeve në rajon, dëshirojnë që sa më parë ta mbyllin kontestin e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe, në këtë kontekst të ri gjeopolitik, pala kosovare kurrë nuk ka qenë më e mbrojtur nga Perëndimi së tani për shkak të kursit pro-rus të Serbisë.

Por, siç vëren ai, kryeministri Albin Kurti “nuk duhet të besojë se simpatia në kryeqytetet perëndimore është e mjaftueshme” për të arritur deri te marrëveshja për normalizimin e plotë të marrëdhënieve sepse as “Serbia nuk është e izoluar” në arenën ndërkombëtare kur dihet përkrahja e Rusisë dhe Kinës ndaj pozicionit serb në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Prandaj, sipas vlerësimit të studiuesit të historisë dhe antropologjisë, një presion më i fortë nga BE-ja dhe SHBA-të është vendimtar në këtë moment në mënyrë që Prishtina dhe Beogradi të gjejnë rrugën drejt kompromisit për një zgjidhje që do të pranohej nga të dyja palët dhe përkrahje për formacionet e tjera politike nga të dyja vendet që janë të gatshme për lëshime në kuadër të dialogut.

“Ajo gjithashtu duhet të ofrojë më shumë mbështetje për ato grupe dhe individë nga të dyja palët që kanë ide për një kompromis të qëndrueshëm dhe që duan të kapërcejnë këtë ngërç që i mban prapa të dy vendet dhe nga i cili përfitojnë vetëm nacionalistët nga të dyja anët”, theksoi ai për AP.

Në lidhje me insistimin e BE-së dhe SHBA-ve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një mekanizëm që do t’iu jepte serbëve më shumë të drejta dhe garanci shtesë, Brunnbauer thotë se “ky është ndoshta një çmim që Kosova duhet të paguajë për njohjen de-facto (normalizimin) nga Serbia”.

Mirëpo, ai shpreh shqetësimin se ky mekanizëm s’do të lehtësojë vështirësitë e institucioneve kosovare për integrimin e veriut të Kosovës derisa në Evropën e rajoneve, sipas propozimit të Këshillit të Evropës, autonomitë nuk paraqesin problem për funksionimin e shteteve përkatëse, por në Ballkanin Perëndimor autonomitë kuptohen si parashtete që presin momentin e duhur për t’u vetëprokamuar si të pavarura.

“Ajo që BE-ja patjetër duhet të parandalojë është shfaqja e diçkaje si Republika Srpska në një shkallë më të vogël. Pra, Asociacioni nuk mund të jetë plotësisht autonom dhe duhet të ketë masa mbrojtëse që Serbia të mos e përdorë për të minuar integritetin e Kosovës”, shtoi Brunnbauer.

Ndërkaq, në vitin 2018, si alternativë ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte shfaqur ideja e shkëmbimit të territoreve si një opsion tjetër për zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë, por profesori vlerësoi se përveç që shkëmbimi i territoreve apo ndryshimi i kufijve është një ide shumë e rrezikshme “do të ishte edhe një recetë për luftë”.

Patriotizmi kushtetues, për të cilin flet filozofi gjerman Jurgen Habermas, po rikthehet për zgjidhje të reja, në shtetet shumëetnike, si një variant i liberalizimit politik, i cili supozohet të sigurojë qëndrueshmërinë e shoqërive të ndara nga mosmarrëveshje të thella.

Brunnbauer tha se Kushtetuta e Kosovës “mund të shërbejë si bazë e një identiteti kombëtar qytetar” porse shpesh patriotizmi kushtetues “anulohet nga nacionalizmi etnik, i cili është ekskluziv dhe shpesh racist, duke mos ofruar zgjidhje reale (vetëm imagjinare) për problemet”.

Intervista e plotë e Ulf Brunnbauer për Albanian Post:

Albanian Post: Tanimë me ndërmjetësimin amerikan dhe evropian në bisedimet Kosovë-Serbi është krijuar një kontekst krejtësisht i ri. Çfarë mendoni për propozimin franko-gjerman? Do të këtë sipas jush marrëveshje deri në mars? Jeni optimist?

Ulf Brunnbauer: Unë e konsideroj propozimin franko-gjerman një opsion të zbatueshëm në parim. Është modeluar sipas modus vivendi ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane gjatë Luftës së Ftohtë. Gjermania Perëndimore nuk e njohu zyrtarisht sovranitetin e Gjermanisë Lindore, por normalizoi marrëdhëniet, në mënyrë që të dy vendet ndërvepruan pothuajse si shtetet normalisht. Por analogjia ka kufijtë e saj: Gjermania Perëndimore ishte gati ta bënte këtë, sepse ata ende shpresonin se një ditë, ribashkimi mund të ishte i mundur.

Në rastin e Serbisë dhe Kosovës, jam skeptik se së shpejti do të arrihet një marrëveshje – për këtë, evropianët duhet të bëjnë më shumë presion kryesisht ndaj Serbisë. Për shembull duke e bërë të qartë se negociatat e anëtarësimit me Serbinë do të pezullohen, nëse nuk bëjnë kompromis, dhe se mbështetja e mëtejshme financiare varet nga normalizimi (dhe në mënyrë ideale pranimi i pavarësisë së Kosovës).

Albanian Post: Qysh nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovës, gjithmonë janë ndërkombëtarët që vijnë me propozime e pastaj Kosova e Serbia shprehin pëlqimin mbi ato propozime duke i pranuar ose jo. Mos është koha që vetë palët të kenë një propozim për perëndimin se si zgjidhjet kjo çështje dhe përse mendoni se nuk e kanë bërë asnjëherë? Është mungesë kreativiteti, dije, apo dëshire për ta zgjidhur problemin?

Ulf Brunnbauer: Perëndimi dhe veçanërisht evropianët i kushtuan pak vëmendje situatës për vite me radhë. Ata shpresonin se çështja do të largohej vetë, gjë që nuk ndodhi. U desh agresioni i Rusisë kundër Ukrainës që shkaktoi tronditje tek evropianët për të kuptuar se situata rreth Kosovës dhe Serbisë nuk është e qëndrueshme.

Sigurisht, do të ishte më mirë që palët të dilnin me zgjidhjen e tyre, por kjo ndoshta do të duhej të vinte nga jashtë strukturave ekzistuese të pushtetit. Sidomos Vuçiç është i kënaqur me krizën aktuale. Vetëm një zgjidhje që trajton shqetësimet legjitime nga të dyja palët do të funksionojë. Por pa presion të fortë dhe ndërmjetësim nga BE dhe SHBA, kjo nuk do të ndodhë. BE-ja duhet të gjejë mënyra për ta bërë të qartë se mospërputhja do të ketë pasoja – së shpejti.

Ajo gjithashtu duhet të ofrojë më shumë mbështetje për ato grupe dhe individë nga të dyja palët që kanë ide për një kompromis të qëndrueshëm dhe që duan të kapërcejnë këtë ngërç që i mban prapa të dy vendet dhe nga i cili përfitojnë vetëm nacionalistët nga të dyja palët.

Albanian Post: Siç është kuptuar tashmë, në negociata nuk ka shumë rëndësi se cila palë ka të drejtë, por cila palë argumenton pozicionin e vetë më mirë karshi ndërmjetësuesve. Ju, nga sa i keni përcjellur zhvillimet kohëve të fundit, si do ta vlerësonit, kush po e fiton luftën diplomatike – Albin Kurti, apo Aleksandër Vuçiç?

Ulf Brunnbauer: Diplomacia rrallëherë prodhon fitues të qartë, sepse ka të bëjë me kompromise që lejojnë të gjitha palët të ruajnë fytyrën dhe interesat e tyre jetike. Por është e qartë se ndaj Perëndimit, Kurti dhe Kosova tani gëzojnë më shumë përparësi sepse pozicionohen si plotësisht properëndimorë.

Vuçiç dhe Serbia në përgjithësi kanë humbur reputacionin për shkak të pozicionit të tyre të lëkundur ndaj Rusisë (dhe gjithashtu ndjenjat pro-ruse në mesin e serbëve në veri të Kosovës nuk do ta përmirësojnë imazhin e tyre).

Por Kurti nuk duhet të besojë se simpatia në kryeqytetet perëndimore është e mjaftueshme. Ai gjithashtu duhet të tregojë një gatishmëri për kompromis dhe për të zbatuar reformat e kërkuara në Kosovë (p.sh. për të forcuar sundimin e ligjit).

Gjithashtu nuk duhet harruar se në skenën botërore Serbia nuk është aspak e izoluar. Shumë vende dhe më e rëndësishmja Rusia dhe Kina nuk e njohin Kosovën dhe anojnë nga pozicioni serb.

Kjo e bën të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje në nivel të OKB-së. Pra, pa vullnetin e vërtetë të dy partnerëve për kompromis, asnjë fitore në “luftën diplomatike” nuk do të bëjë shumë ndryshim.

Albanian Post: Kosova ka sfida të rënda përpara për sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në Kosovë ekziston një frikë, e artikuluar edhe përmes kryeministrit Albin Kurti, se rrezikojmë të kthehemi në një shtet jo funksional si Bosnja nëse pranojmë Asociacionin. Çfarë mendoni, rrezikohet Kosova nga një mekanizëm i tillë?

Ulf Brunnbauer: Unë mund t’i kuptoj dhe ndaj këto shqetësime. Nga ana tjetër, ky është ndoshta një çmim që Kosova duhet të paguajë për njohjen de-facto (normalizimin) nga Serbia. Në një mënyrë apo tjetrën, do të duhen shumë vite, nëse jo dekada përpjekjesh të vështira për të bindur serbët në veri të Kosovës se Kosova mund të jetë vendi i tyre.

Është e vështirë të gjykohet nëse një asociacion i tillë sjell shumë ndryshim. Ajo që BE-ja patjetër duhet të parandalojë është shfaqja e diçkaje si Republika Srpska në një shkallë më të vogël. Pra, Asociacioni nuk mund të jetë plotësisht autonom dhe duhet të ketë masa mbrojtëse që Serbia të mos e përdorë për të minuar integritetin e Kosovës. Autoritetet shtetërore të Kosovës duhet të jenë të pranishme, jo më pak për të parandaluar paligjshmërinë.

Albanian Post: Në një intervistë për Albanian Post, ish-këshilltar për siguri nacional i presidentit amerikan, John Bolton, pati thënë se ai e ka përkrahur idenë e ripërcaktimit të kufijve kur iu propozua. Një nga arsyet për përkrahje, ai pati thënë se ishte fakti që liderët e dy vendeve ishin pajtuar me idenë. Ai thoshte se nëse dëshira është që popujt të jetojnë në shtete më të pastra etnike, le të jetë pra ajo zgjidhja. Ju, çfarë mendoni për idenë e ripërcaktimit të kufijve? Në këtë refuzim të serbëve të Kosovës në veri për ta pranuar Kosovën shtet të pavarur, besoni se mund të jetë kjo ideja që zgjidh problemin?

Ulf Brunnbauer: Mendoj se kjo është një ide shumë e rrezikshme, për shumë arsye. Në përgjithësi, ne duhet t’i bindim njerëzit se ata mund të jetojnë një jetë normale me të gjitha të drejtat e tyre në një vend multietnik. Konkretisht, jam i bindur se çdo ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh do të hapte një kuti pandore në Ballkan (dhe ndoshta jo vetëm atje). Kjo do të ishte një recetë për luftë.

Unë gjithashtu nuk do t’i besoja presidentët që thonë se pas një shkëmbimi të tillë gjithçka do të jetë mirë – ndoshta kjo vetëm do të rriste oreksin e tyre? Në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës dhe e gjithë shoqëria duhet të punojnë shumë që serbët të ndihen të pranuar – dhe serbët e Kosovës duhet të mësojnë të pranojnë realitetin e ri dhe të kërkojnë të drejtat e tyre në Prishtinë, jo në Beograd.

Serbia duhet të ndalojë së thëni se ata nuk i përkasin Kosovës, ose t’i bëhet presion atyre për ta bërë këtë. Sepse për ironi, janë serbët në veri të Kosovës ata që vuajnë më shumë nga ngërçi aktual. Gjendja socio-ekonomike atje është e keqe dhe përkeqësohet nga mosintegrimi. Definitivisht jo për çdo ndryshim kufijsh!

Albanian Post: Në vështrimin tuaj çfarë do perëndimi në Ballkan, cili është vizioni i perëndimit për Ballkanin? Nganjëherë, fitohet përshtypja sikur demokracia në Ballkan po shkëmbehet me një lloj autoritarizmi të butë për hir të stabilitetit. Çfarë mendoni ju?

Ulf Brunnbauer: E ashtuquajtura stabilokraci ishte me të vërtetë një problem i madh dhe bëri njerëz si Vuçiç apo Thaçi (ose Borisov në Bullgari) të fortë. Ata patën fotografi të bukura me liderët perëndimorë, ndërsa në të njëjtën kohë minuan reformat në vendet e tyre. Kjo dëmtoi zhvillimin demokratik të vendeve të Ballkanit, lehtësoi gjerësisht kapjen e shtetit dhe korrupsionin dhe në fund nuk bëri asgjë për zgjidhjen e konflikteve rajonale.

Kemi të njëjtët njerëz dhe të njëjtat probleme tani prej shumë vitesh. Deri më 24 shkurt 2022, evropianët nuk kishin një strategji të qartë ndaj Ballkanit. Ata pretenduan se anëtarësimi në BE mund të ishte i mundur, shpërndanë disa (në fakt shumë) para – shpesh personave të gabuar dhe shpresuan që situata të paktën të mos përkeqësohej.

Por agresioni i Rusisë detyroi një rimendim – shpresoj se BE-ja tani do të veprojë në një mënyrë më strategjike dhe koherente dhe do të ndjekë seriozisht zgjerimin, por në të njëjtën kohë do të bëjë presion mbi qeveritë në rajon për të përmirësuar qeverisjen: kjo është ajo që njerëzit duan, ka një zonë elektorale për reforma dhe pajtim.

Unë mendoj se hapi i parë duhet të jetë t’i bëhet e qartë Serbisë, që ose të normalizojë marrëdhëniet e tyre me Kosovën dhe të marrë një qëndrim të qartë ndaj Rusisë, ose se marrëdhënia e tyre me BE-në do të reduktohet.

Albanian Post: Në këtë kontekst, a mendoni se ka një dallim substancial ndërmjet nacionalizmit dhe patriotizmit? Vërtet a i jepni përparësi patriotizmit kushtetues para atij kombëtar, të kombit kulturor?

Ulf Brunnbauer: Kjo është një pyetje filozofike, e cila kërkon disa mendime utopike. Mendoj se patriotizmi qytetar apo edhe nacionalizmi qytetar mund të jetë një forcë pozitive, dhe historikisht ishte në linjë me emancipimin dhe përparimin.

Ne mund të shohim sot në Ukrainë se çfarë force e fuqishme mund të jetë patriotizmi, dhe gjithashtu ka shumë njerëz në Ballkan, jo më pak në Kosovë, që duan ta bëjnë vendin e tyre një vend më të mirë sepse ndjejnë një lidhje emocionale me të.

Por për fat të keq, kjo shpesh anulohet nga nacionalizmi etnik, i cili është ekskluziv dhe shpesh racist, dhe shumë shpesh me pamje të prapambetur, duke mos ofruar zgjidhje reale (vetëm imagjinare) për problemet.

Fatkeqësisht, kjo është mënyra dominuese e nacionalizmit në Ballkan, për arsye historike. Kosova për shembull ka një kushtetutë të shkëlqyer me të cilën mund të krenohen njerëzit e të gjitha etnive. Mund të shërbejë si bazë e një identiteti kombëtar qytetar.

Një Evropë me të vërtetë e bashkuar mund të funksionojë vetëm nëse pranojmë një realitet multietnik, multikonfesional dhe shumëgjuhësor. Çdo komb është në fakt multikulturor, këtë duhet ta shohim si një vlerë të madhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore