Lajme

Turqia do të refuzojë gazin rus në favor të atij amerikan


Ndërsa Putini nuk heq dorë nga shpresat për organizimin e një qendre gazi në Turqi, Ankaraja ka vendosur të lëvizë në drejtimin e kundërt – të reduktojë varësinë nga burimet ruse të energjisë.

Për të zëvendësuar gazin rus, Turqia supozohet të blejë vëllime të mëdha nga një vend “jomiqësor” ndaj Rusisë, me të cilin Turqia po rikthen marrëdhëniet, pasi ato ishin përkeqësuar prej disa vitesh.

Turqia synon të ndërtojë një “portofol furnizimesh të reja” për të reduktuar varësinë nga çdo furnizues, tha për Financial Times Ministri i Energjisë, Alparslan Bayraktar.

Përkatësisht, bëhet fjalë për një ujdi që Turqia po arrin me gjigandin amerikan ExxonMobil, rreth një akordi multimiliardë-dollarësh.

Bisedimet vijnë në mes të përmirësimit të marrëdhënieve midis Turqisë dhe SHBA-së pasi Ankaraja hoqi veton ndaj anëtarësimit të Suedisë në aleancën ushtarake të NATO-s dhe Washingtoni ra dakord t’i shesë Turqisë avionë luftarakë F-16 me vlerë miliarda dollarë. Ato vijnë gjithashtu pasi Turqia po kërkon të ripozicionojë veten si një qendër rajonale energjetike.

Turqia do të sigurojë deri në 2.5 milionë ton gaz në vit përmes marrëveshjes afatgjatë në diskutim me Exxon, tha Bayraktar, duke shtuar se pakti mund të zgjasë për një dekadë.

Bayraktar tha se kushtet komerciale të marrëveshjes Exxon ishin ende në diskutim, por 2.5 milionë tonë gaz të dërguara në Turqi aktualisht do të kushtonin rreth 1.1 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të çmimeve nga agjencia e të dhënave Argus.

2.5 milionë tonë gaz në diskutim do të mjaftonin për të mbuluar afërsisht 7 për qind të konsumit të gazit natyror të Turqisë vitin e kaluar, sipas llogaritjeve të FT bazuar në të dhënat nga Autoriteti Rregullator i Tregut të Energjisë. Vitin e kaluar, Turqia importoi 5 milionë tonë gaz nga SHBA në tregun “spot” ku energjia blihet dhe shitet për dërgesë të menjëhershme, tha Bayraktar.

Exxon ka plane ambicioze për të zgjeruar portofolin e saj të LNG në 40 milionë tonë në vit deri në vitin 2030, rreth dyfishi i asaj që ishte në vitin 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore