Sport

La Liga, Real Madrid-i luan për kreun


Java e gjashtë e La Liga-s nisi në mënyrën më të mirë të mundshme.

Atletico fitoi me rikthim, Rayo Vallecano shokon Bilbao-n në minutën e 96-të, kurse Celta arrin fitoren e parë.

Sot, edhe katër ndeshje tejet interesante janë në program.

Në orën 19:30, vijnë dy ndeshje.

Në Barcelonë, Espanyol-i që nuk di për fitore e pret Alaves-in që nuk di për pikë.

Dy skuadrat synojnë shkëputjen nga fundi i tabelës, në një ndeshje që pritet të jetë shumë e hapur.

Po në të njëjtin orar, në “Sanchez Pizjuan”, luhet derbi i javës mes Sevilla-s dhe Valencia-s.

Sevilla e pamposhtur dhe me një ndeshje më pak, synon ngjitjen mbi Valencia-n me një fitore eventuale.

Sa i përket Valencia-s, ata po shijojnë fillimin më të mirë të sezonit në pesë vitet e fundit.

Për ta, edhe një barazim do ishte pozitiv, duke marrë parasysh që ndeshja e fundit përballë Real Madrid-it iu solli humbjen e parë sezonale.

Në orën 22:00, në fushë zbresin pretendentët për titullin.

Real Madrid-i i Ancelotti-t e luan ndeshjen e dytë sezonale në “Santiago Bernabeu”, ku përballen me Mallorca-n e sapongjitur në elitë.

Për Mallorca-n ka qenë një fillim sezoni shumë pozitiv, me vetëm një humbje, e dy fitore dhe dy barazime.

Madrilenët në anën tjetër këtë sezon e kanë nisur në mënyrën më të mirë, me pesë fitore nga gjashtë ndeshje në të gjitha kompeticionet.

Në një formë shumë të mirë të golave, mbretërorët priten që të kenë një fitore të thjeshtë sonte, të paktën në letër.

Ndeshja tjetër e këtij orarit, është ajo mes Villarreal-it dhe Elche-s.

Nëndetësja e verdhë kërkon shkëputjen nga barazimet e vazhdueshme, duke arritur fitoren e parë.

Kundërshtari i tyre, Elche, kërkon vazhdën e rezultateve që sjellin pikë, për t’i ikur sa më shumë zonës së ftohtë.

Të enjten, luhen edhe tre ndeshje tjera për të mbyllur javën e gjashtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore