Shqipëria

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Zhupës për Butrintin


Gjykata Kushtetuese këtë të martë të 11 korrikut ka rrëzuar katër nga pesë kërkesat e deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa sa i takon projektit të parkut të Butrintit.

Kushtetuesja ka rrëzuar kërkesën për pezullimin e këtij ligji, ndërkohë që të vetmen pikë që ka pranuar është ajo për marrjen e komunikimeve të UNESCO-s me qeverinë.

Ndërkaq Zhupa, u shpreh për gazetarët se ka kërkuar që Qeveria të detyrohet të dërgojë të gjithë dokumentet që i janë përcjellë UNESCO-s në lidhje me Butrintin.

“Ky është një mashtrim që i çohet UNESCO-s nga shteti shqiptar vetëm për të thënë që ne nuk e shkelur konventën e Parisit. E gënjejnë dhe përveç kësaj ata kanë një vit e gjysmë që nuk sjellin dokumente as mua dhe as Gjykatës Kushtetuese”.

Padia për Butrintin

Më 14 nëntor ishte po Zhupa që depozitoi në Gjykatën Kushtetuese “padinë që shfuqizon vendimin e koncesionit të Butrintit”.

Dhe më 3 janar të vitit 2023 ajo bëri me dije se kjo Gjykatë ka pranuar padinë.

Kujtojmë se çështja hapi një “portë” diskutimesh dhe përplasjesh, fillimisht mes ministres së Kulturës, Elva Margariti, dhe deputetes Zhupa, e më pas mes ekspertëve të ndryshëm dhe publikut të gjerë.

Mirëpo, “gjullurdia” e debateve daton që në 2019, pas prezantimit të draftit të Planit të Integruar të Menaxhimit të Butrintit.

Më 15 tetor, drejtori i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, AADF, Michael Granoff i dorëzonte ministres Margariti draftin e planit.

Projekti i planit të menaxhimit do të hartohej nga firma prestigjioze britanike “Prince & Pierce” me një financim prej 250 mijë dollarësh nga AADF-ja.

Gjatë takimit, Granoff deklaroi se ky projekt ka qenë një ndër më afatgjatët ku ishte përfshirë fondacioni.

Ndërsa, zyrtarja shqiptare e konsideroi planin e menaxhimit – asokohe – si produkt të një bashkëpunimi 10-vjeçar me AADF-në.

Sipas saj, ai synonte të projektonte menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit gjatë dekadës që vinte.

“Ligji i ri për trashëgiminë kulturore dhe muzetë specifikon krijimin e fondacioneve të posaçme, ku Ministria e Kulturës është pjesë e fondacionit dhe është drejtuese e fondacionit”, shpjegonte që në atë periudhë Margariti.

Ligji i ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë u miratua në vitin 2018.

Ai parashikonte administrimin e pasurive kulturore në mënyrë direkte nga institucionet shtetërore, ose në formë indirekte nëpërmjet fondacioneve të posaçme.

Katër muaj më parë, qeveria shqiptare miratoi një vendim pikërisht për mirërregullimin e ligjit për Fondin Kombëtar të Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore.

Aktorët kryesorë, që janë nënshkrues në kontrata apo marrëveshje mes palëve, janë Ministria e Kulturës, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Instituti i Arkeologjisë (IA).

Këtë e dëshmon pikërisht protokolli i bashkëpunimit mes palëve, të cilin e pati siguruar Albanian Post.

Ai është firmosur nga përfaqësuesit e fondacionit, ministrisë dhe institutit, si palët e vetme në Menaxhimin e Butrintit.

Fondacioni, sipas marrëveshjes, do të ofrojë mbështetje financiare për projektet e IA-së, të cilat do të zhvillohen në zonën e “Pasurisë Kulturore”.

Njëra nga risitë e kontratës është prioriteti që do t’u jepet “arkeologëve shqiptarë”, në një sit që ka tërhequr më së shumti vëmendjen e arkeologëve italianë apo britanikë në të kaluarën.

Butrinti do të ketë, më në fund, një ambient të përshtatshëm për ekspozimin e “gjetjeve arkeologjike dhe historisë së gërmimeve”.

Kjo e fundit është menduar të vendoset në “qendrën e vizitorëve”, të cilës do t’i kthehemi sërish më poshtë.

Depozitimi dhe ruajtja e fondit arkeologjik do të zhvendoset në qytetin e Sarandës, duke iu referuar dokumentit, për të mundësuar ruajtjen e tyre.

Për të kuptuar dakordësinë mes palëve, mjafton të lexohet se fondacioni “do të konsultohet rregullisht me IA-në për çdo çështje që prek Pasurinë Kulturore dhe fushës së arkeologjisë”.

Në të kundërt, pika e fundit e bashkëpunimit lë të hapur mundësinë që palët mund t’i drejtohen Gjykatës së Tiranës, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Fondacioni do të ketë mundësi që të “thithë” edhe grante të tjera nëpërmjet partnerëve strategjikë – me daljen nga skema shtetërore.

Sa i takon investimit, për të cilin gjithashtu është bërë jo pak zhurmë, AADF-ja do të financojë me një grant deri në 5,5 milionë dollarë, nëse rakordohemi me shifrat e bëra zyrtare.

Investimi total për shtatë vitet e para është parashikuar të jetë 7 milionë dollarë.

Shteti shqiptar do të kontribuojë për pjesën e mbetur (2 milionë dollarë), të cilat gjenden në “arkën” e Butrintit.

Nga këto, 40 për qind do të shpenzohen për konservimin e parkut, ndërsa 60 për qind për përmirësimin e infrastrukturës.

Në të përfshihet edhe ngritja e një qendre të re vizitorësh, me një kapacitet për afro 300 mijë turistë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore