Lajme

Kurti thotë se Kosova ka treguar vullnet për t’u angazhuar në dialog parimor


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorët dhe përfaqësuesit e misioneve në Kosovë të shteteve anëtare të NATO-s, BE-s si dhe ata të Japonisë e Zvicrës.

Në këtë takim kryeministri ka biseduar lidhur me takimin në Bruksel më 18 gusht që kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Në këtë takim, që pason atë të djeshmin me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të QUINT-it, u bisedua edhe për proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, është thënë nga Zyra e Kryeministrit.

Kurti edhe në këtë takim theksoi se Kosova ka treguar vullnet e gatishmëri për t’u angazhuar në dialog parimor.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Republika e Kosovës ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, drejt një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke. Ai prezantoi elementet e gjashtë kapitujve të Kornizës së Përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme me Serbinë, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër”.

Takimi trepalësh në Bruksel me 18 gusht.

Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për targa dhe dokumente, Kurti dhe Vuçiç janë takuar më 18 gusht në Bruksel, por pa arritur ndonjë rezultat konkret.

Pas këtij takimi Escobar dhe Lajçak nisën vizitën në Kosovë më 23 gusht.

Ata takuan fillimisht presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e më pas kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 85-të kishte miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa “RKS” për të gjitha automjetet e pajisura me targat ilegale, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Vendimi në fjalë ishte kritikuar me tone të ashpra nga pala serbe.

Udhëheqësit serb, vendimin e kishin cilësuar si një presion dhe provokim të radhës ndaj serbeve të cilët jetojnë në Kosovë.

Për këtë ata kishin kritikuar edhe qasjen dhe heshtjen e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore