Lajme

Kurti takon ambasadorët e QUINT-it, flasin për aksionin në Veri


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me ambasadorët e QUINT-it

“Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar”.

Kështu është deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it, dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, për të diskutuar mbi vendimin e ditës së hënë të qeverisë rreth reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.

Kryeqeveritari Kurti, ka treguar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

“Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpijnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata”, ka thënë Kurti.

Ai ka informuar ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar as gjatë ditës së hënë dhe as gjatë të martës nuk ka pasur incidente duke shtuar se vendimi i qeverisë nuk ishte provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, ka përfunduar Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në takim me ambasadorët e QUINT-it

Ambasadorët dhe Kryeministri Kurti, gjatë takimit janë pajtuar që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë.

Ndërsa në anën tjetër Ministri Sveçla, ka potencuar se qytetarët serbë nuk kanë pse të ndjehen të frikësuar.

“Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë Sveçla.

Që nga orët e hershme të mëngjesit të së hënës, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit.

Ilustrim, zbatimi i reciprocitetit të targave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore