Lajme

Kurti takohet me kryediplomatin çek, flasin për vizat


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten e 29 shtatorit, ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovë dhe Çekisë si dhe angazhimin drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ai e falënderoi Ministrin Lipavsky për mbështetjen e Republikës Çeke për Kosovën dhe trajtimin e kësaj çështje si prioritet gjatë Presidencës çeke  të Këshillit të BE-së”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ndërkaq, Kurti ka shprehur mirënjohjen për përkrahjen e Çekisë dhënë për shtetin dhe popullin e Kosovës, para dhe pas luftës, si dhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë, në arenën ndërkombëtare, në siguri dhe projekte zhvillimore.

Gjithashtu, në këtë takim u theksua edhe potenciali i madh për thellim të marrëdhënieve bilaterale si mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, po ashtu edhe ndërmjet Kosovës dhe Çekisë.

Ndryshe, gjatë presidencës së saj me Këshillin e BE-së, Çekia dëshiron të avancojë agjendën e Ballkanit Perëndimor, në veçanti liberalizimin e vizave për Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore