Kosova

Kurti reagon pas fatkeqësisë natyrore në SHBA, shpreh ngushëllime për jetët e humbura


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave që humbën jetën pas situatës së krijuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rezultat i një fatkeqësie natyrore që ka goditur disa shtete në SHBA.

“Lajm tronditës nga SHBA-të. Ngushëllimet tona për familjet dhe miqtë e mbi 100 jetëve të humbura nga tornadot e Kentucky dhe falënderimet më të sinqerta për reaguesit e parë që e vunë veten në rrezik”, ka shkruar Kurti, në rrjetin e tij social në Twitter.

Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një postimi në Facebook kishte shprehur shqetësimin e tij pas situatës së krijuar në SHBA-të nga një fatkeqësi natyrore, duke u lutur kështu që kjo fatkeqësi të përfundoj sa më shpejt dhe me sa më pak pasoja.

“Bashkëndjejmë me dhembje të madhe për fatkeqësinë në Kentucky dhe Tennessee të ShBA-së dhe tmerrin nëpër të cilin po kalojnë qytetarët amerikanë në këto momente të vështira. Qytetarët e Kosovës me trishtim po i përcjellin lajmet për humbjet e shumë jetëve dhe shkatërrimin e pasurisë së qytetarëve amerikanë”, ka shkruar Konjufca.

Glauk Konjufca

Ngushëllime për viktimat që humbën jetën si pasoj e tornados shkatërruese në SHBA-të ka shprehur edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet tona më të thella për familjet që humbën më të dashurit e tyre. Zemra jonë është me familjet e viktimave dhe njerëzit që pësuan nga shkatërrimi”, ka shkruar Mehaj në rrjetin e tij social, Twitter.

Bazuar në raportimet e CNN, në orët e vona të së premtes dhe orët e hershme të së shtunës së 10 dhe 11 dhjetorit, stuhitë që u lëshuan nga tornadot e fuqishme në pjesën qendrore dhe jugore të SHBA-ve, morën jetën e mbi 80 njerëzve.

Më shumë se 30 tornado janë raportuar në të paktën gjashtë shtete, duke përfshirë këtu shtetet si Kentucky, Missouri, Tenesi e Mississippi, raporton CNN.

Situata e krijuar pas tornados në disa shtete të Amerikës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore