Lajme

Kurti po e çliron Serbinë, thotë Hoxhaj


Enver Hoxhaj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar kërkesën e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për ndarjen e rrugëtimit të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian nga procesi i dialogut, gjë që ky apel, sipas tij, nuk i shërben Kosovës, por Serbisë.

“Qëndrimi i kryeministrit për të ndarë normalizimin nga integrimi evropian nuk i shërben Kosovës, por është çlirim i Serbisë nga kushtëzimi evropian dhe në interes të Serbisë që ia mundëson asaj që edhe pa marrëveshje obligative ligjore dhe pa njohje të ndërsjellë, të mund të anëtarësohet në BE”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar gjatë një konference për media në Shkup të Maqedonisë së Veriut që të ndahet rrugëtimi i Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit Evropian nga çështjet e përbashkëta të dialogut në mes dy shteteve, duke harrur që ai vetë e ka pranuar bashkimin e këtyre dy proceseve përmes Aneksit të Ohrit, ku saktësohet se marrëveshje për normalizimin bëhet pjesë integrale e rrugëtimit drejt anëtarësimit.

Pas tryezës së përbashkët me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u fol për Planin e Rritjes së BE-së dhe donacionin prej 6 miliardë eurosh që BE e ka në plan të ndaj për projektet nga këto gjashtë shtete, Kurti deklaroi se “duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”.

Ai argumentoi që “nuk është fer që një shtet ku vullneti për t’u anëtarësuar në BE është 94 për qind të mbetet peng i çështjes së normalizimit me një shtet ku vullneti i anëtarësimit mbetet 35 për qind”.

Por, Aneksi i Ohrit, derivat i Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve Kosovë – Serbi, në pikën tre potencon se “palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi Implementues do të bëhen pjesë integrale e proceseve respektive të anëtarësimit në BE për Kosovën dhe Serbinë”.

Kurti harron çfarë ka nënshkruar në Ohër – kërkon shkëputje nga Serbia në rrugën drejt integrimit evropian

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore