Lajme

Serbia dhuroi 500.000 dollarë për një nga vendet që abstenuan nga votimi në OKB për Srebrenicën


Ilustrim

Ministri i Punëve të Jashtme të Hondurasit, Enrique Reina, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të shtunën, falënderoi Serbinë për një donacion prej 500 mijë dollarësh për renovimin e një spitali të shkatërruar, dy ditë pas miratimit të rezolutës së Kombeve të Bashkuara (OKB) që shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

“Në emër të Qeverisë së Presidentes së Hondurasit, Xiomara Castro de Zelaya, falenderojmë qeverinë, popullin serb dhe ambasadën e Serbisë në Meksikë për shpalljen e vendimit për dhënien e ndihmës humanitare për Qeverinë e Hondurasit, në vlerë prej 500,000.00 dollarë amerikanë për t’u përballur me urgjencën e shkaktuar nga zjarri që shkatërroi Spitalin Roatán”.

Mediat në Serbi raportuan se donacioni prej gjysmë milioni dollarësh për një nga vendet që abstenoi mund të jetë provë që regjimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, bleu votën e Hondurasit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së – një praktikë që autoritetet serbe e kanë përdorur gjithashtu për të siguruar ‘çnjohje’ të Kosovës, kryesisht nga shtetet e vogla në zhvillim.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të enjten e 23 majit rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë – rajon në lindje të Bosnje e Hercegovinës, ku forcat serbe vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë myslimanë në vitin 1995.

Hondurasi është një nga gjithsej 68 shtetet që abstenuan nga votimi për rezolutën për Srebrenicën në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. E rezoluta që u miratua mes kundërshtimit të ashpër të autoriteteve serbe, dënon mohimin e gjenocidit të kryer nga serbët në Bosnje e Hercegovinë, përkundër se në rezolutë nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore