Kosova

Kurti harron çfarë ka nënshkruar në Ohër – kërkon shkëputje nga Serbia në rrugën drejt integrimit evropian


Foto nga Albanian Post

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar gjatë një konference për media në Shkup të Maqedonisë së Veriut që të ndahet rrugëtimi i Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit Evropian nga çështjet e përbashkëta të dialogut në mes dy shteteve, duke harrur që ai vetë e ka pranuar bashkimin e këtyre dy proceseve përmes Aneksit të Ohrit, ku saktësohet se marrëveshje për normalizimin bëhet pjesë integrale e rrugëtimit drejt anëtarësimit.

Pas tryezës së përbashkët me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u fol për Planin e Rritjes së BE-së dhe donacionin prej 6 miliardë eurosh që BE e ka në plan të ndaj për projektet nga këto gjashtë shtete, Kurti deklaroi se “duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”.

Ai argumentoi që “nuk është fer që një shtet ku vullneti për t’u anëtarësuar në BE është 94 për qind të mbetet peng i çështjes së normalizimit me një shtet ku vullneti i anëtarësimit mbetet 35 për qind”.

Por, Aneksi i Ohrit, derivat i Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve Kosovë – Serbi, në pikën tre potencon se “palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi Implementues do të bëhen pjesë integrale e proceseve respektive të anëtarësimit në BE për Kosovën dhe Serbinë”.

Aneksi i Ohrit, pika 3.

Me këtë Aneks, të cilin Kurti në Kuvendin e Kosovës e kishte prezantuar si fitore për Kosovën, bëhet e qartë që ai vetë ishte pajtuar që rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së të varet nga zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë.

Madje ishte kritikuar ashpër për këtë kompromis të panevojshëm dhe pranim të paarsyeshëm, por Kurti atëherë s’e kishte trajtuar si problem.

Për më tepër, në Aneksin e Ohrit, në pikën e njëjtë, saktësohet tutje që “Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks”.

Gjithashtu, thuhet se “palët vërejnë se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe kësaj Shtojce, Lehtësuesi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks”.

Kjo e bën të qartë pranimin që Kurti i kishte bërë obligimit që rruga drejt BE-së është tashmë e pazgjidhshme nga zbatimi i pikave të marrëveshjeve që tentojnë normalizimin e raporteve.

Kjo nuk është e tëra. Aneksi ka edhe një pikë tjetër, atë të 12-në, ku përsëritë që mos-zbatimi i obligimeve nga Marrëveshjet e dialogut nënkuptojnë penalizim në rrugën e integrimit.

Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, ky Aneks ose Marrëveshjet e kaluara të Dialogut mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja”, thuhet saktësisht në Aneksin e Ohrit.

Aneksi i Ohrit, pika 12.

Kjo nuk është hera e parë që Kurti flet me paqartësi për ato që ka pranuar në dialog dhe kompromiset me të cilat e ka lidhur Kosovën.

Ai gjithashtu del shumë shpesh me interpretime për Marrëveshjen që dallojnë nga ato parapraket, apo bën vlerësime të zbatimit të neneve të marrëveshjeve, kur vetë në Aneksin e Ohrit e pranon se do të jetë Bashkimi Evropian ai që e ka ekskluzivitetin e interpretimeve se cili nga shtetet po i kryen obligimet e cili jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore