Lajme

Kurti e Osmani përkujtojnë ‘Luanin e UÇK-së’ në 27-vjetorin e rënies


Luan Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 27-vjetorin e rënies së heroit, tha se gjatë katër viteve të fundit të jetës, Luan Haradinaj, kaloi shumë herë kufirin jugosllav të vendosur dhunshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke u kthyer në ‘luan’ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – emblemë të lirisë.

“Gjaku i Luanit i skuqi gurët e kufirit që ai i kishte ëndërr t’i shembte mes barrierash që duheshin eliminuar në rrugën e vështirë për bashkimin e shqiptarëve”, shkroi kreu i ekzekutivit kosovar në “Facebook” të hënën, derisa kujtoi se në ditën kur u vra, ai printe grupin e luftëtarëve që hynin nga Shqipëria në Kosovë, nga fshati Vlahne e Hasit në drejtim të Kuzhinit.

“Nga ajo kohë do të duheshin edhe gjashtë muaj që UÇK-ja të shfaqej publikisht, por Luani me vëllezër dhe shokë kishte vite që punonin për atë ditë. Me aktivitetet dhe ndërlidhjet mes grupeve, me aksionet e armatosura, me furnizimet me logjistikë dhe me shembullin e angazhimit të tij me përkushtim e trimëri, Luani i Gllogjanit, ishte kthyer në luan të UÇK-së”.

E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu nëpërmjet një postimi në “Facebook” gjatë ditës, derisa përkujtoi veprën heroike të luftëtarit të lirisë, theksoi se Luani, ashtu sikurse edhe familja Haradinaj, kanë dhënë shumë për Kosovën, duke u shndërruar në simbol të lirisë së Kosovës.

“Hero Luani, luftoi për lirinë e Kosovës dhe ra hero në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë përvjetor, përkulemi para veprës heroike të Luanit me bashkëluftëtarë të UÇK-së dhe nderojmë të gjithë dëshmorët tanë, të cilët e bën të mundshme lirinë tonë. Qoftë i përhershëm kujtimi për Luanin dhe të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë!”, shkroi shefja e shtetit.

Në grupin e udhëhequr nga Luani, bënin pjesë edhe vëllai i tij, Ramushi, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi. Luani mbeti i vrarë në vend, kurse Ramushi, Rafeti dhe Fehmiu u plagosën rëndë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore