Lajme

Kurti për Le Monde: Rusia mund ta zgjerojë luftën në Ballkan


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një intervistë për Le Monde ka thënë se po e shqetësojnë lidhjet e forta të Rusisë me Serbinë, pasi sipas tij, “Gazprom zotëron 56 për qind të industrisë së naftës në Serbi dhe 51 për qind të kapacitetit të depozitimit të gazit”, derisa sipas Kurtit sa i përket inteligjencës, Rusia mban të ashtuquajturën “qendër humanitare” në qytetin e Nishit”.

“Në media, agjencia Sputnik drejton operacionet e saj për Ballkanin Perëndimor nga Beogradi dhe mjafton të shikosh titujt e gazetave serbe për të kuptuar se kush i drejton realisht”, tha Kurti.

Sipas kryeqeveritarit kosovar 151 deputetë të Kuvendit të Serbisë i përkasin grupit të miqësisë serbo-ruse.

“Edhe në Kosovë i kemi këto grupe të miqësisë parlamentare me vende të ndryshme, por asnjëherë nuk i kalon 12 persona”.

Kurti ka theksuar se Putin e përmendte një herë në muaj “precedentin” e Kosovës, ndërhyrja e NATO-s në 1999, “tani e bën çdo dy ditë për të justifikuar politikën e tij hegjemoniste në Ukrainë, e ndoshta diku tjetër”.

“Mund ta quajmë një pushtim rus, ose një agresion ushtarak. E gjithë kjo është e vërtetë. Mund të flasim edhe për imperializmin rus. Por ajo që shoh vetë është edhe fashizëm”.

Ai ka shtuar se presidenti Putin ka hyrë në një rrugë qorre, përveç logjikës së më të keqes.

“Është një formë e vetësabotimit, ai nuk mund të tërhiqet. Natyrisht këtu jemi të shqetësuar, sepse tundimi që ai ta përhapë më tej luftën më duket i qartë. Tre rajone janë në rrezik. Moldavia sepse duke u përpjekur për të enklavuar Ukrainën dhe për t’i hequr asaj hyrjen në Detin e Zi, rusët do të shkojnë nga Krimea në Transnistria nëpërmjet Odessa”, pohoi ai.

“E dyta është Gjeorgjia: Osetia e Jugut dhe Abkhazia u aneksuan në vitin 2008, viti kur Kosova shpalli pavarësinë e saj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore