Lajme

Kurti nis vizitën zyrtare në SHBA


Ilustrim: Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka filluar vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi për media.

Bazuar në njoftimin zyrtar, i pari i ekzekutivit këtë të premte do të takohet me përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

E ndërsa gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri do të takojë zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.

Njoftimi mbaron me kaq, aty nuk jepen shumë detaje, si për shembull, cilët do të jenë zyrtarët shtetërorë që Kurti do i takojë në SHBA.

Kurti së fundmi ishte kritikuar, për vendimin e shtyrjes së vizitës së tij në SHBA, e cila ishte planifikuar të ndodhë në nëntor të vitit të kaluar.

Kurti, në arsyetimin e tij pati thënë se pengesa kryesore që udhëtimi nuk ishte realizuar gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar ishin të natyrës logjistiko-teknike, pasi sipas tij në Amerikë nuk mund të shkohet për tri ditë.

“Kur të shkojë në SHBA nuk mund të shkoj për tri ditë, do të shkoj për 10 ditë apo dy javë, sepse është një shtet shumë më i madh e shumë më larg, por edhe takimet që mund t’i bëj atje do të jenë më të shumta sesa në Evropë. Do të më duhet ndoshta të qëndroj pak më shumë se zakonisht, kështu që ju do të mund ta bëni pyetjen se kur do të kthehem”, kishte thënë Kurti në një konferencë për media.

Ndryshe kjo është vizita e parë zyrtare e kryeministrit të Kosovës, në SHBA-të.

Ndonëse një javë më parë ai së bashku me Presidenten Osmani, kishin udhëtuar në Amerikë, vizita nuk kishte karakter zyrtar, por ceremoniale, pasi që të dy ishin të ftuarit e familjes së Madeleine Albright.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore