Kosova

Kurti me lëvdata për Bashkim Jasharin: Akoma se ka prekur gjysmën e mandatit, rritja e FSK-së është e paparë


Kryeministri i Kosovës Bashkim Jashari dhe komandanti i FSK-së Bashkim Jashari.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se puna e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) Bashkim Jashari, akoma s’ka prekur gjysmën e mandatit por që puna e tij ka qenë e paparë.

Kurti, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka vlerësuar punën e Jasharit gjatë kësaj periudhe.

“Komandanti i FSK-së, Gjeneral lejtnant Bashkim Jashari, ende nuk e ka prekur gjysmën e mandatit, por ngritja dhe rritja e FSK-së është e paparë në këta më pak se dy vjet e gjysmë. Biseduam gjatë mbrëmë për të arriturat e deritashme, gjendjen aktuale dhe sfidat e ardhshme”.

“Forcimi e zgjerimi i ushtrisë sonë me buxhet të dyfishuar, armatim të trefishuar dhe katërfishim të trajnimeve jashtë vendit është rruga e sigurt drejt NATO-s”, ka shkruar ai.

Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pati theksuar se buxheti i ndarë për vitin 2023 ishte më i larti ndër vite që nga 2019.

Për njohësit e çështjeve të sigurisë, buxheti i Forcës së Sigurisë së Kosovës për vitin 2023, ishte solid, por jo i mjaftueshëm për të modernizuar ushtrinë e Kosovës.

Buxheti i FSK-së për vitin 2022 kapte shumën prej 100 milionë eurove.

Ndërsa buxheti për vitin 2023 ishte diku rreth 20% më i lartë se ai i vitit 2022.

Forca e Sigurisë së Kosovë, përkitazi me moshën, është një strukturë e organizuar mirë, por për shkak të buxhetit të vogël dhe kufizimeve të tjera, qëndron shumë dobët me armatimin e rëndë.

FSK-ja vazhdon që ende të mos ketë armë të krahut, armë anti-tank, armë për mbrojtje kundër-ajrore dhe gjithashtu nuk ka helikopterë për bartjen e njësiteve prej një vendi në vendin tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore