Lajme

Kurti iu bëri thirrje serbëve dhe komuniteteve tjera jo-shumicë që të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të komuniteteve jo-shumicë që të bëhen pjesë e gjeneratës së re të policëve në Policinë e Kosovës.

Teksa kanë mbetur më pak se 10 ditë prejse konkursi për policë të rinjë do të mbyllet, kreu i ekzekutivit iu ka bërë thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e policisë për të garantuar siguri në komunat veriore,

“Kur kanë mbetur më pak se 10 ditë, ftoj të gjithë qytetarët nga të gjitha komunitetet pakicë në Kosovë që të aplikojnë në thirrjen e hapur për gjeneratën e re të policëve, të përkushtuar për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve në komunat veriore të Republikës sonë”, ka shkruar Kurti në Twitter teksa ka shpërndarë edhe video-mesazhin.

Megjithatë, në një intervistë për gazetën austriake Der Standard, i pyetur se a duhet të kthehen serbët që u larguan nga Policia e Kosovës në fillim të nëntorit, kreu i ekzekutivit theksoi se “nuk i përjashtoj” por as “nuk iu bëj thirrje të kthehen”.

“Ne i kemi rishpallur të gjitha pozitat që kanë mbetur vakante në polici, nuk kam ndërmend të zëvendësoj serbët me shqiptarë. Një komision do të vendosë se kush do të pranohet”, kishte deklaruar ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës me qëllim të plotësimit të numrit të pjesëtarëve policorë në Mitrovicën e Veriut, kishte shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë sipas kushteve të parapara të konkurrimit për të gjitha minoritetet në Kosovë.

Serbët më 5 nëntor dhanë dorëheqje nga Policia e Kosovës, si shenjë revolte ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar masat e shkallëzuara për targat ilegale serbe dhe që nga ajo kohë pozitat e tyre janë vakante.

Prandaj, Ministria e Punëve të Brendshme e cila udhëhiqet nga ministri Xhelal Sveçla përmes këtij konkursi, do të tentojë ta mbushë këtë boshllëk institucional.

Kandidatët që aplikojnë për zyrtarë policorë në Policinë e Kosovës duhet të jenë nga komuniteti jo-shumicë, jo domosdoshmërisht nga pakica serbe, si dhe të mos jenë më të vjetër se 30 vjet.

Aplikimi në fjalë do të jetë i hapur nga 5 janari deri më 26 janar të këtij viti por, nuk është cekur numri i vendeve të lira të punës, gjegjësisht numrin i cili do plotësonte vendet boshe në Policinë e Kosovës në veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore