Kosova

Kupchan: Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës në këmbim të anëtarësimit në BE


Charles Kupchan nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë.

Charles Kupchan, nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, ka shprehur bindjen se Serbia do ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Por, sipas tij nuk dihet se kur do të realizohet ky qëllim.

“Serbia do ta njohë përfundimisht pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe një nga elementet kyçe të kësaj përpjekjeje, do të jetë integrimi i saj në Bashkimin Evropian. Megjithatë, mbetet të shihet se si dhe kur do të arrihet ky synim”, deklaroi Kupchan për Radio Evropën e Lirë.

Ai shton se ka një model për tejkalimin e ngërçit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por që nuk është bërë shumë përparim në zbatimin e tij.

“Ka disa zhvillime, si ky me dokumentet personale, pastaj për çështjet ekonomike gjatë administratës [së ish-presidentit amerikan, Donald] Trump, por programi i normalizimit ekonomik nuk është zbatuar, ashtu siç nuk është formuar as Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Por, ka një plan dhe jam shumë i bindur se si do të përfundojë i gjithë procesi”.

Takimi ne Bruksel

Duke folur për arritjen e marrëveshjes për dokumentet personale ai sqaron se pse duhet të shihet si hap pozitiv për Kosovën.

“Kosova insiston në sovranitet të plotë. Qofshin në pyetje dokumentet personale apo targat, është e kuptueshme që Kosova dëshiron të funksionojë si një vend normal. Është pozitive arritja e marrëveshjes për dokumentet personale, së paku. Do të shohim nëse do të ketë marrëveshje për targat e makinave, në dy muajt e ardhshëm. Por, ka ca përparim, së paku në kuptimin më të ngushtë të fjalës”.

Ndërkaq, pohon se tensionet janë rritur dukshëm në disa vende të rajonit.

“Në një kuptim më të gjerë, jemi dëshmitarë të ringjalljes së tensioneve ndërmjet grupeve të ndryshme në të gjithë rajonin – gjë që ndikon në situatën në Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, pastaj në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pra, tensionet në rajon po rriten, në vend që të ulen”.

Sipas Kupchan, letra e presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dërguar udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë, e cila thekson normalizim të plotë të marrëdhënieve ka ardhur në kohë të duhur.

“Letra e Macronit dhe Scholzit vjen në kohën e duhur dhe bart mesazhin e duhur. Rritja e tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës – dhe në të gjithë rajonin në përgjithësi – kërkon një angazhim më të madh, evropian dhe transatlantik”.

Ai shton se “edhe Macron, edhe Scholz kanë vërtet të drejtë kur thonë se ajo që nevojitet, është normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ka kohë që Beogradi dhe Prishtina duhet të marrin vendime të vështira dhe t’i arrijnë kompromiset e nevojshme për këtë qëllim”.

Pas mesnatës së 31 gushtit, shteti Serbisë ka filluar zbatimin e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas të cilës asnjëra palë nuk do t’i lëshojë dokumentet për hyrje-dalje për shtetasit e palës tjetër.

Si rrjedhojë në pikë kalimin kufitarë në Jarinje, polici kufitar serb ka pranuar dhe procesuar më tej dokumentin identifikues të lëshuar nga autoritetet e Kosovës pa një fletë të bardhë shtesë në formatin A4, e cila lëshohej deri më tani, pasi shteti serb nuk pranonte asnjë dokument ku shkruante Republika e Kosovës.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili ishte i pranishëm në pikë kalimin kufitarë në Bërnjak, për të monitoruar nga afër situatën në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore