Lajme

Kryetari i Zveçanit: S’jap dorëheqje


Ilir Peci

Edhe pse Bashkimi Evropian edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që kryetarët e katër komunave veriore të japin dorëheqje në mënyrë që të shpallen zgjedhjet e reja, kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, thotë se ende nuk ka marrë ndonjë kërkesë zyrtare për dorëheqje.

“Për momentin jo nuk do të jap dorëheqje, por të shohim. Ende neve nuk na është dorëzuar diçka zyrtarisht për dorëheqje, as nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe as nga ndërkombëtarët. Derisa nuk na vije diçka zyrtarisht, është shumë herët me vendos”, tha ai në një intervistë për Kosovapress.

Megjithatë, Peci i cili po vazhdon të kryej detyrën e kryetarit që gati pesë muaj nga një zyrë alternative në fshatin Kelmend, theksoi se ka interesim të madh të qytetarëve serbë për marrjen e shërbimeve komunale.

“Gjithmonë shërbehen me dokumentacion të nevojshëm dhe numri i të interesuarve është shumë më i madh sesa ditët e para”, shtoi ai.

Ndryshe, derisa kryetari i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq ushtron detyrën nga objekti komunal në veri të Mitrovicës dhe Lulzim Hetemi që udhëheqë Leposaviqin, po qëndron brenda në komunë për më shumë se katër muaj, Ilir Peci së bashku me kryetarin e Zubin Potolut, Izmir Zeqiri, kryejnë detyrat nga ambientet alternative.

Për organizimin e zgjedhjeve të reja në Veri të Kosovës, Qeveria përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që drejtohet nga Elbert Krasniqi, ka marrë vendim për nismën e shkarkimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore, përmes një peticioni.

Ky vendim vjen pas marrëveshjes së arritur në Bratislavë të Sllovakisë, në takimin në mes të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, për shtensionimin e situatës në Veri, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.

Mirëpo, ky proces ka mbetur në hije pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ku një grup terroristësh më në krye kriminelin Milan Radojiçiç, sulmoi Policinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore