Lajme

Kryediplomati kroat për marrëveshjen e Ohrit: Është e detyrueshme, me ose pa nënshkrim


Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliç Radman, pas pajtimit për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë në qytetin e Ohrit në Maqedoninë Veriore në mes të kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, është shprehur se “marrëveshja, cilado qoftë ajo, është e detyrueshme, me ose pa nënshkrim”.

“Është paraqitur si një marrëveshje mes dy palëve. Unë veçova shmangien e çdo mundësie për të mos respektuar atë marrëveshje. Është e nevojshme të zbatohet marrëveshja, por duhet edhe të shmanget mosrespektimi më vonë, kur flasim për anëtarësimin në BE dhe perspektivën në BE, në mënyrë që BE-ja të ruajë të gjitha ato kritere dhe standarde që të gjithë anëtarët duhet të përmbushin”, tha ai, transmeton N1.

Kryediplomati kroat mendon se marrëveshja në Ohër “para dy ditësh sapo u prezantua si një sukses i madh për vetë ndërmjetësuesin, përfaqësuesin e lartë të BE-së dhe të dy palëve, Beogradit dhe Prishtinës”.

Ndërkaq, Radman refuzoi të përgjigjej nëse politikat e Bashkimit Evropian në raport me Serbinë nuk janë të duhura, megjithatë shtoi se “të gjithë ata që duan të hyjnë në BE, si Kroacia, duhet të respektojnë vlerat e BE-së dhe kriteret dhe standardet që janë vendosur gjatë rrugës”.

“Nuk mund të flas për këtë, por thashë se pavarësisht marrëveshjeve, ato nuk duhet të jenë shpërblim për dikë, por marrëveshje për gjendjen reale. Dhe kompromisi është gjithmonë pjesë e marrëveshjes mes dy palëve që mund të kenë pasur pikëpamje të kundërta për disa gjëra”, shtoi ai.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore