Boterori 2022

Kroacia mposht Kanadanë dhe rrëmben vendin e parë në grup


Kroacia ka shënuar fitore shumë të vlefshme në ndeshjen e dytë të Kupës së Botës, duke e mposhtur me rikthim Kanadanë, me rezultat 4:1.

Ndeshja nisi menjëherë me një ritëm të lartë, kur që në daljen e parë në sulm shënuan kanadezët.

Ishte ylli i Bayern Munich-ut, Alphonso Davies, i cili shënoi një gol të bukur me kokë, pas një harkimi milimetrik nga Tajon Buchanan.

Goli i Alphonso Davies.

Megjithatë, reagimi i kroatëve erdhi që në pjesën e parë. Pas disa mundësive shumë të mira, ata arritën ta barazojnë rezultatin në minutën e 36-të, kur Andrej Kramaric shënoi pas asistimit të Ivan Perisic.

Goli i Andrej Kramaric.

Në fundin e pjesës së parë, Kroacia e shënoi edhe golin e epërsisë. Ishte sulmuesi i Hajduk Splitit, Marko Livaja, që shënoi një gol shumë të bukur nga distanca.

Goli i Marko Livaja.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale të kroatëve, derisa edhe fraksioni i dytë i ndeshjes ishte i hapur dhe me shumë raste për gol.

Andrej Kramaric fillimisht pati një mundësi shumë të mirë për ta shënuar edhe golin e tretë për Kroacinë, por goditjen e tij nga afër, e ndali portieri kanadez.

Jonathan David në anën tjetër e pati një mundësi shumë të mirë për Kanadanë, por goditjen e tij e ndali me majën e gishtërinjve portieri i Kroacisë.

Megjithatë, Kroacia arriti ta shënojë golin e tretë në minutën e 70-të. Ishte Kramaric që shënoi një gol të bukur në hyrje të zonës, pasi pranoi një asistim, përsëri nga Perisic.

Goli dytë i Andrej Kramaric.

Deri në fund të ndeshjes, kroatët patën edhe disa mundësi të mira për të shënuar përsëri, derisa ata e gjetën edhe golin e katërt me anë të një kudnërsulmi.

Ishte mesfushori i Rennes, që hyri në lojë në minutën e 86-të, duke shënuar në minutën e katër shtesë, pas një asistimi të Mislav Orsic.

Me këtë sukses, kroatët tani kanë marrë vendin e parë në Grupin F me katër pikë, aq sa ka edhe Maroku i vendit të dytë, ndërsa Belgjika mban vendin e tretë dhe Kanada mbetet pa pikë në vendin e fundit.

Ndeshjen e radhës, Kroacia do ta zhvillojë kundër Belgjikës, ku do të diskutohet mes tyre se cila do të kualifikohet tutje, pasi që me gjasë Maroku do të kualifikohet, duke pasur parasysh që i duhet të paktën një pikë nga ndeshja me Kanadanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore