Lajme

Krasniqi: Agim Ramadani dha shembullin e veçantë se si duhet të mbrohet atdheu


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka përkujtuar komandantin Agim Ramadani në 24-vjetorin e rënies së tij.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Krasniqi ka thënë se ai vazhdon të mbetet shembull unik se si duhet të mbrohet atdheu.

“Duke i prirë një prej betejave më të rëndësishme të luftës çlirimtare, asaj për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, Agimi u flijua edhe vet që ai kufi të mos mbyllet më”.

“Përmes jetës dhe veprës, si poet e patriot, Agimi dha shembullin e veçantë se si duhet dhe mbrohet Atdheu. Sot, përmes vargjeve dhe luftës së tij, ai jeton në zemrat e secilit shqiptar atdhedashës”, ka shkruar Krasniqi.

Teksa, ka përkujtuar të gjithë dëshmorët që nuk janë ndalur për të luftuar deri tek arritja në rrugën e lirisë.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve të betejës së Koshares, bashkëluftëtarëve të Agimit, që për asnjë moment nuk u stepën në rrugën e shenjtë të lirisë!”.

Më 11 prill u shënua 24 vjetori i rënies së heroit të kombit, komandantit të Brigadës 138, Agim Ramadani, i cili ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit Kosovë-Shqipëri.

Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit, më tre maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht duke mos vdekur kurrë. Po ashtu, njihet me emrin konspirativ-Katana.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore