Lajme

Kosovë: Vdes një lehonë nga COVID-19, gjendja e foshnjës mbetet e rëndë


Ilustrim

Një lehonë e moshës 26 vjeç nga komuna e Vitisë në orët e hershme të së dielës së pesë shtatorit ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit nga COVID-19.

Lajmin për Albanian Post, e ka konfirmuar Gazmend Spahija – doktor në Klinikën e Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, i cili ka thënë se më dy shtator të këtij viti viktima i është nënshtruar operacionit kirurgjik cezarian në Klinikën e Gjinekologjisë për të kryer lindjen.

Sipas tij, viktima në të njëjtën ditë që i është nënshtruar operacionit është dërguar në mjekimin intensiv për shkak të gjendjes së rënduar, ku vetëm dy ditë më pas ajo ka ndërruar jetë.

“Rreth orës 02:30 të ditës së sotme pacientja e lindur në vitin 1995 ka vdekur nga COVID-19. Ajo i ishte nënshtruar operimit cezarian për kryerjen e lindjes mirëpo për shkak të gjendjes së rënduar, pasi ka pasur dëmtim të madh të mushkërive, është sjellë në mjekim intensiv”, ka thënë Spahija.

Në anën tjetër, gjendja e foshnjës së lindur është shumë e rëndë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar Drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hajrie Ismaili, e cila ka theksuar se pas testimit foshnja nuk ka rezultuar pozitiv nga COVID-19.

“Foshnja prej momentit që kur ka lindur ka qenë në gjendje të rëndë dhe në momentin që ka lindë është dashur të reanimohet. Gjendja e foshnjës është shumë e rëndë por jemi dukë bërë maksimumin që të tejkalohet kjo situatë. Nuk është e infektuar nga COVID-19, ka rezultuar negativ por është në gjendje të rëndë për shkak se derisa nëna ka qenë në gjendje të rëndë edhe foshnja i ka vuajtur pasojat”, ka thënë Ismaili.

Ndërkaq, numri i të vdekurve dhe i të infektuarve nga COVID-19 në Kosovë vazhdon të mbetet i lartë. Vetëm brenda një jave Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka raportuar 201 raste të vdekjes dhe mbi 12 mijë të infektuar nga Coronavirusi.

Të dhënat e këtij instituti që nga e shtuna e 28 gushtit e deri më katër shtator tregojnë se në Kosovë janë infektuar 12 mijë e 68 persona nga COVID-19.

Vetëm pak orë më parë është raportuar edhe për një foshnje 3-javëshe nga komuna e Lipjanit që ka vdekur të shtunën në mbrëmje si pasojë e COVID-19.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, Hajrie Ismaili, duke shtuar se “foshnja nga dita e pranimit ka pasur gjendje të rëndë shëndetësore dhe është futur në ventilim mekanik”.

Sipas saj, foshnja nuk ka lindur me Coronavirus, por e gjithë familja ka qenë e prekur me COVID-19.

“Foshnja nuk ka qenë e infektuar, por ka qenë pranim nga jashtë, ka qëndruar disa ditë në shtëpi edhe familja e saj ka qenë e infektuar, edhe fëmija kur ka ardhur ka qenë në gjendje shumë të rëndë”, tha Ismaili.

“Prej momentit të parë kur është pranuar në klinikë është vendosur në respirator edhe përkundër angazhimit maksimal që kemi pas nuk kemi mbërri ta shpëtojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore