Kosova

Kosovë: Vdes një foshnje 3-javëshe nga COVID-19


Ilustrim

Një foshnje 3-javëshe nga komuna e Lipjanit ka vdekur të shtunën në mbrëmje si pasojë e COVID-19.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hajrie Ismaili, duke shtuar se “foshnja nga dita e pranimit ka pasur gjendje të rëndë shëndetësore dhe është futur në ventilim mekanik”.

Sipas saj, foshnja nuk ka lindur me koronavirus, por e gjithë familja ka qenë e prekur me COVID-19.

“Foshnja nuk ka qenë e infektuar, por ka qenë pranim nga jashtë, ka qëndruar disa ditë në shtëpi edhe familja e saj ka qenë e infektuar, edhe fëmija kur ka ardhë ka qenë në gjendje shumë të rëndë”, tha Ismaili.

“Prej momentit të parë kur është pranuar në klinikë është vendosur në respirator edhe përkundër angazhimit maksimal që kemi pas nuk kemi mbërri ta shpëtojmë”.

Ndërkaq numri i të vdekurve dhe i të infektuarve nga COVID-19 në Kosovë vazhdon të mbetet i lartë.

Vetëm brenda një jave Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka raportuar 201 raste të vdekjes dhe mbi 12 mijë të infektuar nga Coronavirusi.

Të dhënat e këtij instituti që nga e shtuna e 28 gushtit e deri më katër shtator tregojnë se në Kosovë janë infektuar 12 mijë e 68 persona nga COVID-19.

Derisa numri i të infektuarve nuk po zvogëlohet, i lartë është edhe numri i të shëruarve nga ky virus.

Gjatë kësaj periudhe një javore në Kosovë janë shëruar 10 mijë e 740 persona të cilët kanë qenë të infektuar me COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore