Lajme

Kosovë: Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Izbicë


Tri ditë pas shënimit të përvjetorit të masakrës në Izbicë të komunës së Skenderajt, është arrestuar një i dyshuar kosovar, nën dyshimin se i njëjti gjatë viteve 1998-1999 ka kryer vepër penale.

“Fsh. Izbicë, Skenderaj (1998-1999) NN. Me 30.03.2021 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti gjatë kohës së lartë cekur ka kryer veprën penale të lartë cekur”.

Kjo është bërë e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, ku më tutje thuhet se “me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”.

Ndërkohë, të dielën ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Izbicë, ku ka thënë se “Kosova e ka për detyrë ta vendosë drejtësinë në vend dhe përfaqësuesit e saj të mos bëjnë asnjë lloj kompromisi kur bëhet fjalë për gjakun e martirëve dhe dëshmorëve të kombit”.

Më 28 mars, janë mbushur 22 vjet ku në fshatin Izbicë u krye një ndër masakrat më të mëdha nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore