Kosova

“Myk e ujë të papijshëm – t’i nënshtrohet një renovimi”, gjetjet e Danimarkës për burgun e Gjilanit ku do ta vuajnë dënimin 300 danezë


Para ratifikimit të marrëveshjes të Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për transferimin e 300 të burgosurve danezë në burgun e Gjilanit, pjesëtarë të Shërbimit Korrektues të Danimarkës kishin qëndruar për vizitë në këtë burg, derisa brenda tij kishin gjetur myk dhe ujë të papijshëm.

“Pjesëtarë të Shërbimit Korrektues të Danimarkës vizituan burgun në Gjilan dhe zbuluan se ndër të tjera, ka myk, se uji i pijshëm mban aq shumë erë klori sa që shumica e të burgosurve pinë ujë në shishe dhe se burgu në përgjithësi tregon shenjat e mungesës së mirëmbajtjes”, thanë ata raporton Al Jazeera.

Sipas Shërbimit Penal, është parakusht që ndër të tjera të krijohen kuzhina ku të burgosurit mund të gatuajnë dhe ndërtesa për pushim dhe punë, në mënyrë që kushtet të jenë më të ngjashme me burgjet daneze.

“Prandaj, burgu duhet t’i nënshtrohet një rinovimi të gjerë përpara se të jetë gati për të strehuar të burgosurit danezë”.

Po ashtu në artikull thuhet se Komiteti i OKB-së kundër Torturës (CAT) përmes një raporti shprehu shqetësimin për pasojat e mundshme që transferimi mund të kishte në aksesin e të burgosurve në kujdesin shëndetësor dhe vizitat familjare.

“Shteti danez ka njoftuar se ambientet e burgut me qira do t’i nënshtrohen ligjit danez, ende ekziston rreziku i akteve të mundshme të torturës ose keqtrajtimit nga personeli i burgut”.

Çka përfiton Kosova nga marrëveshja me Danimarkën?

Përmes marrëveshjes me Danimarkën, Kosova parashihet t’i fitojë mbi 200 milionë euro. Nga shuma 200 milionë euro sa parashihet të përfitonte Kosova 30 milionë planifikohen të shkojnë për energji të ripërtrishme, ndërsa pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Danimarka, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh.

Ndërsa, pagesa tjetër do të bëhet në norma tremujore, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, në pajtim me numrin e të burgosurve që objekti mund t’i strehojë.

Sipas Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.

Ndërkaq, udhëheqësit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100 për qind, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015.

Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh.

Kuvendi miraton marrëveshjen për burgjet me Danimarkën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore