Lajme

Kosovë: Liderët institucional dhe politik përkujtojnë masakrën e Izbicës


22 vjet më parë, në fshatin Izbicë të komunës së Skenderajt, u krye një ndër masakrat më të mëdha nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Izbicë, ku ka thënë se përmasat e gjenocidit të Serbisë në Kosovë i tregon fakti se nuk ka ditë në të cilën nuk përkujtohen shqiptarët e vrarë nga shteti serb.

“Nuk ka ditë në Kosovë e cila nuk është datë e përvjetorit të vrasjes së shqiptarëve të Kosovës prej Serbisë. Kjo tregon për të vërtetën e gjenocidit që e ka bërë Serbia në Kosovë përmes ushtrisë së vet, policisë dhe paramilitarëve”, ka thënë Konjufca.

Ai tutje shtoi se Kosova e ka për detyrë ta vendosë drejtësinë në vend dhe përfaqësuesit e saj të mos bëjnë asnjë lloj kompromisi kur bëhet fjalë për gjakun e martirëve dhe dëshmorëve të kombit.

“Për masakrën e Izbicës, ndaj të cilët duhet të mbahet përgjegjës shteti serb, deri tani familjarët e martirëve të cilët janë vrarë nga Serbia nuk e kanë gjetur drejtësinë dhe është detyrë e institucioneve tona dhe e secilit prej nesh që i përfaqësojmë ato, që të punojmë pa u ndal që e vërteta dhe drejtësia të bije në vend”, theksoi Konjufca për mediet.

Po ashtu, edhe kryetari i komunës se Skenderajt, Bekim Jashari, përmes një shkrimi në Facebook, ka theksuar se masakra e Izbicës është shembull i sakrificës sublime dhe dëshmi se “pa sakrificë e gjak nuk ka LIRI”.

“Kjo masakër është dëshmia më e mirë e krimeve dhe gjenocidit që kriminelet serb bënë në Kosovë, duke mos kursyer askënd që fliste shqip e që mbronte pragun e shtëpisë”, ka shkruar Jashari.

Lidhur me masakrën e Izbicës, në një postim në Facebook, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi “derisa edhe i fundit prej përgjegjësve të krimeve të kryera nga serbët të japë llogari për veprimet e tyre”.

Një mesazh të tillë e ka shkruar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Ne kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi, për fëmijët, për gjyshërit, për motrat e vëllezërit tanë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndërsa deputetja Vjosa Osmani, po ashtu përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se duhet të reflektojmë për rrugën që kemi kaluar, sepse Masakra e Izbicës “është dëshmia para së cilës duhet të përkulemi të gjithë dhe para së cilës duhet marrim forcën për të kërkuar dhe punuar për drejtësinë”.

Në po të njëjtën datë, edhe familjet Bogujevci dhe Duriqi nga Podujeva e kanë pësuar të njëjtin fat, ku paramilitarët serbë masakruan 14 anëtarë të këtyre familjeve.

Konjufca po ashtu ka bërë homazhe edhe te memoriali i familjes Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë, ku ishte i shoqëruar me deputeten Vjosa Osmani.

“Kemi ardhur këtu për të përkujtuar masakrën e tmerrshme të 28 marsit të 1999 ndaj familjeve Bogujevci e Duriqi”, ka thënë Konjufca para mediave.

Ai tutje ka theksuar se në këtë masakër shumica e të të vrarëve janë fëmijë dhe gra, gjë që tregon për mizorinë e pashembullt të shtetit ndaj kombit shqiptar duke mos i kursyer as foshnjat, as fëmijët, as gratë e as pleqtë.

Duke shtuar se asnjëherë nuk do të harrohen krimet e Serbisë ndaj Kosovës, ai tha se pikëllimi i tillë na bënë më të vendosur që deri në fund t’i shkojmë drejtësisë.

“Do të kërkojmë drejtësi për arsye se shpirtrat e juaj, zemrat e juaja, por edhe martirët që i kemi humbur do të mund të prehen të qetë vetëm atëherë kur drejtësia të vihet në vend”, përfundoi ai.

Ndërkaq Osmani tha se krimet mizore që i ka kryer Serbia në çdo cep të Kosovës, “janë akoma dëshmi e gjallë sepse qëllimi i Serbisë ishte shfarosja e popullit tonë”.

“Prandaj ne nuk do të ndalemi kurrë, do të jemi zëri juaj, zë i secilit prind që e ka humb fëmijën e vet në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin tonë, zërin i secilës nënë secilit familjarë që i është dashur ta përjetojë ferrin për së gjalli”, tha Osmani.

Kësaj masakre dhe 16 plumbave u mbijetoi Saranda Bogujevci, e cila tashmë është nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ajo në një fjalim të shkurtër tha se kjo ditë nuk është ditë përkujtimi vetëm për familjen e tyre.

“Kjo tregon shumë se çfarë kemi përjetuar si popull dhe kjo duhet të shërbejë për secilin prej neve që të japim maksimumin e mundshëm për një të ardhme më të mirë”, tha Bogujevci.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore