Shqipëria

Shqiptarët e Italisë janë shëmbëlltyra e bashkimit me Evropën demokratike, thotë Rama


Për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, shqiptarët e Italisë, të cilët ndër vite kanë emigruar në vendin fqinj, janë shëmbëlltyra e bashkimit të vendit me Evropën demokratike.

Kështu ka thënë ai në hapje të një fjalimi, gjatë takimit që po zhvillon në Milano me diasporën shqiptare të Italisë, ku interesimi për të pritur kreun e Qeverisë shqiptare ka qenë i madh nga bashkëkombësit përtej detit.

Ka nisur në fakt ky takim me çaste emocionuese, teksa në ekrane gjigandë janë shfaqur pamje të vuajtjes së shqiptarëve ndër vite, përfshi edhe tragjeditë e njëpasnjëshme në Otranto dhe qindra të mbyturit në det të hapur, në kërkim të një drite shprese më të mirë në Itali.

Por, sot, shqiptarët janë të barabartë dhe të integruar në Itali dhe ndaj, për Ramën, ata janë shëmbëlltyra e vërtetë e integrimit shqiptar në Bashkimin Evropian, gjë që e pret vendin në realitet jo shumë larg politikisht sipas tij.

“Shqiptarët e Italisë jeni shëmbëlltyra më rrezatuese e pararojave shqiptare të ribashkimit me Evropën. Ju, jo politika as media as biznesi. Ju jeni përbashkuesit e dy brigjeve të Adriatikut. Jeni fuqia më e madhe e rikthimit të Arbërisë së vjetër e Shqipërisë së re”, përmendi Rama teksa fliste edhe për atë çfarë ndër vite, ishte një realitet i hidhur i fqinjëve, të cilët fajtorin e gjenin te shqiptarët.

Ai përmend raste të tëra mediatike të vrasjeve, vjedhjeve, grabitjeve, të cilat adresonin fajtorin gjithnjë te shqiptarët, edhe kur prova nuk kishte, apo kur keqbërësi ishte arratisur.

“Vrasësi shkoi në drejtim të paditur, por ka shumë gjasa që ai të jetë shqiptar”, artikulon Rama, duke kujtuar tituj të viteve 90’ në shtypin italian.

Rama në fjalimin e tij nuk e mohon se dikur, Shqipëria ka qenë e errët në sytë e Italisë, ka qenë e palexueshme, siç përmend ai.

Por ai kujton se si dikur, gjatë Luftës së Dytë botërore, ishte Shqipëria dhe shqiptarët që pritën italianë, të cilët i ushqyen dhe i trajtuan si të shtëpisë, deri kur u kthyen në familjet e tyre.

Ndërsa sot, nuk harroi as të kritikonte BE-në, se si iu desh agresioni rus në Ukrainë, që të kishte në vëmendje sërish zgjerimin dhe integrimin e Ballkanit.

Megjithatë, ndihet qartë se ky takim i kryeministrit, është radikalisht i ndryshëm nga ai i Athinës dy javë më parë, i cili u zhvillua edhe nën tensione politike.

Këtë vetë Rama e përcjell në fjalim, kur kujton se si shqiptarët e Greqisë janë detyruar të ndërrojnë emrin dhe identitetin, për t’u pajisur me dokumente.

Pjesë në të cilën Italia, e ka treguar se është fytyra e vërtetë e BE-së, pasi shqiptarët i ka integruar pa kushte.

“Shqiptarët në Itali nuk u detyruan të ndryshojnë emrin si në Greqi. Gjë që është një njollë turpi në historinë e Evropës demokratike”, përshkruan kryeministri.

Lehtësimi i jetës së shqiptarëve, ligji i luftës dhe e ardhmja evropiane – Cilat ishin mesazhet e Ramës në Athinë?

Një thirrje përmbyllëse ndërkaq, nuk ia ka kursyer, ku i ka bërë edhe ftesën zyrtare për t’u rikthyer në atdhe, qoftë për të investuar, apo edhe për të punuar, në një Shqipëri, e cila sot ofron kushte pune që më parë nuk mendoheshin, mbi të gjitha në sektorin e shërbimeve, me shpërthimin e fundit turistik të vendit.

Koha e Shqipërisë, sipas Ramës, ka ardhur.

“Kemi shumë punë për të bërë, por pikërisht sepse është e tillë ka edhe shumë mundësi për këdo që kthehet me dijet, eksperiencën, kursimet e veta e duke pas mësuar guximin do fitojë për veten e familjen më shumë se ata që ngurojnë, sepse shpirti ua do por presin që ta gjejnë gati”, theksoi ai.

“Ai që do të kthehet më shpejt do këtë më shumë paqe për shpirtin e ndarë në dysh. Koha e mirë e Shqipërisë ka ardhur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore