Kosova

Kosovë: Arrestohen dy persona, të dyshuar për kultivimin e hashashit


Kultivimi i hashashit në Ferizaj.

Policia e Kosovës të premten ka arrestuar dy persona në Ferizaj, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale: ‘kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’ dhe ‘posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Ndërsa, policia bën të ditur se ka gjetur 14 bimë që dyshohet të jenë kanabis-sativa.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Ferizaj, pas pranimit të një informacioni për kultivimin të bimëve narkotike në fshatin Soponicë të Kaçanikut, më 17.09.2021, rreth orës 17:55, pas një plani taktik, të ndihmuar nga patrulla policore të Stacionit Policor-Kaçanik, në një sipërfaqe malore kanë gjetur 14 (katërmbëdhjetë) bimë që dyshohet të jenë kanabis-sativa”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Foto nga aksioni i Policisë së Kosovës/Kultivimi i hashashit në Ferizaj

Po ashtu, janë identifikuar dy persona të dyshuar: A.D., (v.I. 1997, mashkull kosovar) dhe A.D., (v.I 2000, mashkull kosovar).

Në konsultim me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore Ferizaj dhe me urdhër verbal të gjyqtares së procedurës paraprake, në afërsi të lokacionit të bimëve është kryer kontroll i shtëpive të personave të dyshuar.

“Gjatë kontrollit të shtëpisë janë gjetur dy paketime që dyshohet të jetë substancë narkotike marihuanë, një mulli për bluarjen e marihuanës, një revole me leje me dy karikatorë pa fishekë. Personat e lartshënuar janë arrestuar, janë shoqëruar në stacion policor, janë intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, vijon njoftimi.

Bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit, bimët janë shkatërruar në vendngjarje, kurse mostrat e tyre janë marrë për ekzaminim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore