Kosova

Kosova pranon donacion 35 mijë vaksina nga SHBA-ja


Kompania e vaksinave, Covax

Në Kosovë, përmes një ceremonie para Qendrës së Klinikës Infektive, të premten e 20 gushtit, janë pranuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), një kontingjent i vaksinave prej 35 mijë e 100 vaksinash kundër COVID-19.

Në këtë ceremoni, ambasadori i SHBA-së Philip Kosnett, tha se vaksinat janë dërguar përmes programit Covax dhe janë pjesë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara.

“Vaksinat luajnë një rol udhëheqës në luftë ndaj pandemisë COVID-19 për t’i dhënë fund pandemisë kudo në botë, ndërsa do të ketë edhe dhurim të kontingjenteve të tjerë të vaksinave për Kosovë”, tha Kosnett.

Ambasadori i SHBA-së Philip Kosnett

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë kësaj ceremonie vuri në theks mungesën e vaksinave në Kosovë, duke sqaruar se ka bërë kërkesë ndaj presidentit amerikan Joe Biden.

Osmani ka ripërsëritur se vaksinimi është akti më patriotik në këtë kohë, duke shtuar se ky donacion dëshmon miqësinë ndërmjet të dy shteteve dhe iu referua fjalës së urtë popullor, “Miku i mirë në ditë të vështirë”.

“E kam ditur se Biden do ta ndihmonte dhe morëm përgjigje për mbi 500 mijë vaksina, kontingjenti po e pranojmë sot, edhe të tjerat do të vijë shumë shpejt shpresoj. Kjo dëshmon miqësinë,  nuk mjafton vetëm arritja e vaksinave, vaksinimi është akti më patriotik i kësaj kohe, secili duhet të vaksinohet. Kjo është gjëja më e duhur”, deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se “Vaksinimi është shans për të ngadhënjyer kundër virusit, të shpëtojmë jetë, ta shpëtojmë ekonominë tonë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se këto vaksina të dhuruar do të administrohen për një ditë e gjysmë dhe se brenda vitit do të imunizohen 60 për qind  e popullatës.

Ai ka shtuar se Kosova është mirënjohëse për ndihmën e SHBA-së për ta luftuar Covid-19.

“Me 28 mars të këtij viti ne ishim në Aeroport kemi pranuar kontingjenti e parë, tani po pranojmë kontingjentin prej mbi 35 mijë vaksina nga Amerika. Jemi mirënjohës për këtë ndihmë, falënderojë të gjitha që po dhurojnë për përkrahjen e dhënë në një periudhë të vështirë”.

Kurti tha se duhet të tregohmi të kujdeshëm ndaj virusit COVID-19, veçanërisht me rritjen e rasteve ditëve të fundit në Kosovë.

“Me ritmin e vaksinimit dozat e pranuar sot do të administrohen brenda një dite e gjysmë, deri tash janë dhënë mbi 600 mijë vaksina. Brenda vitit do të imunizohen 60% e popullatës. Të tregohemi të kujdesshëm duke respektuar masat dhe të vaksinohemi, kjo është rrugëdalja. Të ruajmë jetën e secilit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë njoftoi më 20 gusht se katër persona kanë vdekur dhe janë regjistruar 2 mijë e 250 raste të reja me Coronavirus, që është shifra më e lartë e infektimeve ditore që është regjistruar në Kosovë.

Viktimat ishin nga Peja, Prizreni, Rahoveci dhe Gjilani, ndërsa rastet e reja dalin pas testimit të 11 mijë e 814 mostrave.

MSH-ja po ashtu njoftoi se në 24 orët paraprake janë shëruar 154 persona.

Sipas njoftimit, grup mosha me më së shumti raste të reja është ajo 20-29 vjeç me 543 raste, pasuar nga 30-39 vjeç me 476 raste.

Komuna me më së shumti raste të reja është Prishtina, ku janë regjistruar 362 raste të reja.

Prej 13 marsit 2020 deri më 20 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 125 mijë e 348 me Coronavirus, ku 2 mijë e 307 persona kanë vdekur.

Raste aktive në Kosovë vazhdojnë të jenë 16 mijë e 341.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore