Përballje

Kosova përballë testit historik ndaj Spanjës


Kombëtarja e Kosovës në futboll, do te jetë nikoqir i Spanjës, në ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Spanjollët do ta vizitojnë për herë të parë Kosovën, shtet ky që ata nuk e njohin dot. Madje mediat dhe Federata Spanjolle e Futbollit refuzuan ta quajnë “Republikë e Kosovës”, por ata iu referuan si “territor i Kosovës”.

Spanja është një nga pesë vendet e vetme në Evropë se bashku me Sllovakinë, Greqinë, Rumaninë dhe Qipron që nuk e njohin Kosovën si shtet, ndërsa është i vetmi vend në Bashkimin Evropian që nuk pranon pasaportën kosovare për të marrë vizën për zonën Shengen.

Edhe ndeshja në Sevilla e cila u zhvillua mes Dardanëve dhe kombëtares “La Roja”, më 31 mars të këtij viti, nuk përfundoi pa polemika.

Këta të fundit fillimisht refuzuan që Kosova të luante në territorin e Spanjës, pastaj pasi pranuan që kjo gjë të ndodhte, ishin kundër që të këndohej himni i Kosovës dhe të valëvitej flamuri nëpër stadium.

Por, Federata e Kosovës së Futbollit, patën refuzuar që të dalin në fushën e gjelbër për ta nisur ndeshjen në rast se Kosova nuk do të trajtohet e barabartë me të gjitha vendet e pavarura.

Dhe pavarësisht të gjitha përpjekjeve, kjo gjë ndodhi dhe ndeshja u luajt normalisht sikurse me çdo kombëtare tjetër të anëtarësuar në UEFA.

Sa i përket ndeshjes së sotme Kosova vjen në këtë përballje pas fitores ndaj Gjeorgjisë në udhëtim dhe barazimit kundër Greqisë në “Fadil Vokrri”.

Kosova aktualisht mban pozitën e tretë në Grupin B, me katër pikë të grumbulluara pas katër ndeshjeve të zhvilluara.

Mungesat e Dardanëve për këtë sfidë, do të jenë Lirim Kastrati dhe Besar Halimi që plotësuan numrin e kartonëve të verdhë, derisa edhe Arbër Zeneli e Bersant Celina tashmë siç dihet do të mungojnë për shkak të lëndimeve që nuk kanë udhëtuar fare për ndeshjet e shtatorit.

Sa i përket spanjollëve, ata vijnë në këtë ndeshje me një “detyrim” për të fituar, pasi që ata gjenden në një presion të madh nga Suedia për vendin e parë në grup.

Derisa, Spanja aktualisht mban vendin e parë në grup me 10 pikë, pas pesë ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa Suedia është e dyta me nëntë, por me dy ndeshje me pak të zhvilluara se spanjollët.

Për Spanjën në këtë ballafaqim nuk do të paraqiten sulmuesi i Villareal-it, Gerard Moreno dhe mesfushori i Barcelonës, Pedri.

Ndeshja mes Kosovës dhe Spanjës, do të fillojë në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pritet të ndiqet nga 10 për qind e kapacitetit të stadiumit, apo rreth 1 mijë e 300 tifozë të pranishëm.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore