Lajme

Kosova ka shënuar regres edhe në arsim, testi PISA tregon rezultat më të dobët sa në vitin 2018


Ilustrim

Rezultatet e publikuara të testit “PISA” për vitin 2022, tregojnë që Kosova ka shënuar regres në fushën e arsimit, madje situata është edhe më e rëndë seç ka qenë në vitin 2018, kur ka qenë edhe hera fundit kur ka pasur matje.

Në rezultatet e publikuara këtë të marte vihet në pah se numri i nxënësve që nuk kuptojnë nga të lexuarit nga 78 për qind sa ka qenë në vitin 2018, ka shënuar rritje në 83 për qind në vitin 2022.

Rezultatet për lexim

Rritje edhe më të madhe kemi në matematikë. Nxënësit e Kosovës që kanë qenë nën nivel janë rritur nga 76 për qind sa ishin në vitin 2018, në 85 për qind tani.

Rezultatet për matematikë

Ndërsa sa i përket shkencës, nga 76 për qind në vitin 2018, numri i performancës së dobët është rritur në 79 për qind në vitin 2022.

Rezultatet për shkencë

Në bazë të këtyre të dhënave që janë publikuar këtë të marte, por edhe nëse bëjmë krahasime me testet e kaluara, Kosova më së miri në PISA kishte dalur në vitin 2016.

Aty, Kosova ishte renditur e 68-të nga 72 vende pjesëmarrëse.

Për këtë çështje ka dalur që të flasë në një konferencë për media Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arëbrie Nagavci, ku ka deklaruar se rezultatet e PISA-s për Kosovën kanë qenë të pritshme, duke u përpjekur që rezultatet e dobëta t’i arsyetojë me problemet që kanë ekzistuar me mësimin gjatë pandemisë.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme”, tha Nagavci.

Arberie Nagavaci

Këtu, theksoi ajo, “e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve”. “Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore