Lajme

Konjufca bën homazhe në Likoshan dhe Çirez


Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, ka bërë homazhe në fshatrat Likoshan dhe Çirez, për të nderuar 24 martirët e vrarë në këto dy fshatra, 24 vjet më parë.

Konjufca, deklaroi se 28 shkurti i vitit 1998 shënon edhe datën kur filloi gjenocidi në Kosovë.

“Pra kjo është dita kur fillojnë masakrat gjithandej në vendin tonë prej ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë, të gjitha të urdhëruara, të komanduara e të vendosura në sistemin shtetëror serb, të udhëhequr nga hierarkia shtetërore institucionale e shtetit serb”, tha kryetari Konjufca.

Ndërsa, shtoi se Serbia si shtet është përgjegjës për të gjitha ato masakra që ka kryer mbi popullatën e pafajshme civile të Kosovës.

Ai pohoi se institucionet do t’i kujtojnë edhe nderojnë gjithmonë martirët dhe dëshmorët e Kosovës që ranë për lirinë e vendit.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Likoshan.

”Kjo ditë e shënuar dhe shumë të tjera si kjo, na kujtojnë gjithmonë çmimin e lartë që populli ynë e pagoi për lirinë dhe pavarësinë e Republikës. E po ashtu edhe obligimin tonë institucional që të sjellim drejtësi për të gjitha viktimat e gjenocidit serb”.

Më 28 shkurt 1998, u zhvillua beteja në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. Të vrarë mbetën disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat serbe rrethuan të dy fshatrat ku edhe i ekzekutuan 24 civilë.

Masakra që u bë aty njihet si e para ndaj civilëve shqiptarë nga forcat serbe në Kosovë.

Masakra në Likoshan e Çirez.

Një ndër masakrat që tronditi botën e civilizuar dhe tmerroi botën ishte maskara në familjen Ahmeti.

Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare dhe sipas një përllogaritje, gjatë periudhës kohore mars 1998 – qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rendë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1.100 vend-banime shqiptare.

Kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200 mijë shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj.

800 mijë shqiptarë u dëbuan, 15 mijë u vranë, 2 mijë e 400 prej tyre pjesëtarë të UÇK-së, e pjesa tjetër civilë.

Nga kjo luftë u dëbuan 800 mijë shqiptarë dhe u vranë 15 mijë persona, nga të cilët 2.400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerët civilë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5 mijë njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara.

Kjo luftë që filloi nga 28 shkurt 1998 e deri më 23 mars 1999 u zhvillua mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.

Ndërsa nga 24 mars 1999 e deri më 10 qershor 1999, Aleanca Veri-Atlantike NATO me bombardime të përditshme në caqet ushtarake jugosllave, me përkrahjen tokësore të UÇK-së detyroi forcat serbe dhe Sllobodan Millosheviçin të nënshkruajë kapitullimin në Kumanovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore