Lajme

Izraeli sulmon sërish Gazën/ Përshkallëzohet situata mes vendeve


Ushtarë izraelitë

Vetëm disa orë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu sinjalizoi se bombardimet do të tërboheshin kundrejt enklavës palestineze, mëngjesin e 17 majit, avionët ushtarakë izraelitë kanë nisur një seri tjetër sulmesh ajrore në Rripin e Gazës.

Ndonëse nuk raportohet për të lënduar, shpërthimet tronditën qytetin e Gazës, nga veriu në jug, për 10 minuta. Ky ishte një nga bombardimet më të rënda, ku mbulonte një zonë më të gjerë.

Raportohet se zgjati më shumë se sulmet ajrore, ku u vranë të paktën 42 palestinezë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë të dielën e 16 majit.

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), të dielën u takua për të diskutuar dhunën, por nuk arriti të binte dakord mbi një deklaratë të përbashkët shqetësimi.

Ministrat e jashtëm dhe ambasadorët bënë thirrje për një armëpushim dhe që të dy palët të respektojnë ligjin humanitar ndërkombëtar.

Por, pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë shenjë të një armëpushimi të përkohshëm për të lejuar mjekët në Gaza, për të rimarrë njerëzit (gjallë dhe të vdekur) nga poshtë ndërtesave të shembura.

Përpjekjet nga Kina, Norvegjia dhe Tunizia kërkuan nga OKB-ja që të dalë në një deklaratë, për ndërprerjen e armiqësive.

Ministri i jashtëm palestinez, Riad Al-Malki, i kërkoi Këshillit të Sigurimit të ndërmarrë veprime për t’u dhënë fund sulmeve izraelite.

Ambasadori i Izraelit i OKB-së, Gilad Erdan, nxiti Këshillin të dënojë “sulmet pa kriter dhe të paprecedentë” të Hamas-it.

Të paktën 192 persona, përfshirë 58 fëmijë dhe 34 gra, janë vrarë në Rripin e Gazës që nga dhuna e fundit që filloi një javë më parë.

Më parë, Hamas, grupi që qeveris Rripin e Gazës, gjuajti raketa drejt qyteteve izraelite të Ashkelon dhe Beersheba. Izraeli ka raportuar 10 të vdekur, përfshirë dy fëmijë.

Çfarë po ndodh në Izrael?

Ngjarja në Jerusalem dhe Tel Aviv është rënduar së tepërmi ndërkaq. Sulme të njëpasnjëshme nga Hamasi kanë goditur zonat izraelite.

Vendimi i Izraelit, nga ana tjetër, ka qenë kundërpërgjigjja e ashpër me anë të raketave.

Mbi 60 fëmijë kanë qenë pre e luftës të shtatë ditëve të fundit. Një ndërtesë ku ishin të vendosura zyrat e Al Jazeera dhe Associated Press, u shemb tërësisht pas një sulmi me raketa.

Bashkësia ndërkombëtare ka hedhur shqetësime të shumta mbi situatën. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur mbështetje për Izraelin. Sipas tyre, hebrenjtë kanë të drejtë të mbrohen ndaj sulmeve të Hamasit.

Gjithsesi, thirrje është bërë që kundërpërgjigjet të jenë proporcionale dhe të mos synojnë civilët.

Një mbledhje e jashtëzakonshme e ministrave të Jashtëm të BE-së është thirrur të mbahet të martën e 18 majit. Një vendim pritet mbi mënyrat e ndërhyrjes për mospërshkallëzimin e konfliktit.

Netanyahu, nga ana tjetër, ka deklaruar se sulmet e Izraelit nuk do të ndalen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore