Lajme

Komandanti i KFOR-it e Kryetari i Shtërpcës ndajnë pikëpamje për gjendjen e sigurisë


Ozkan Ulutas dhe Dalibor Jevtic

Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutas, është takuar këtë të mërkurë me kryetarin e Shtërpcës – komunë e banuar me shumicë serbe – Dalibor Jevtiç, me të cilin, siç ka njoftuar KFOR, kanë ndarë pikëpamje për gjendjen e sigurisë.

“Sot, Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Ozkan Ulutas vizitoi komunën e Shtërpcës, ku u takua me personelin e KFOR-it të caktuar për Ekipet Ndërlidhëse të KFOR-it që veprojnë nëpër Kosovë. Këto ekipe mbajnë kontakte të përditshme me komunitetet lokale. Kjo është kritike për suksesin e misionit tonë, pasi na lejon të kuptojmë më mirë nevojat e popullsisë lokale dhe implikimet e tyre për sigurinë lokale”, thuhet në njoftim.

Foto: KFOR

Aty është paraqitur edhe deklarata që KFOR e lëshon në çdo komunikatë.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të 1244 të vitit 1999 – për të ofruar një ambient të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

“KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, përfundon njoftimi.

Ndryshe, më 3 shkurt, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte pritur në Kryeministri komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Temë e diskutimit – ashtu siç ka njoftuar KFOR në platformën X – ishin zhvillimet e fundit të sigurisë.

“Komandanti i KFOR-it theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efektiv në të gjitha institucionet e sigurisë, duke përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in”, shkruhej në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore