Lajme

KMDLNj: Specialja po përpiqet ta pamundësojë mbrojtjen e ish krerëve të UÇK-së


Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Prokuroria Speciale në Hagë është duke u përpjekur të pamundësojë mbrojtjen e të akuzuarve.

KMDLNj përmes një komunikate për media ka thënë se që nga fillimi i të akuzuarit nuk i kanë marrë materialet ose i kanë marrë vetëm “pjesërisht të përkthyera në gjuhën shqipe apo gjuhën që e kuptojnë”.

“Prokurori i Zyrës së Specializuar ka deklaruar se nuk kanë asnjë detyrim ligjor t’i përkthejnë materialet në gjuhën shqipe duke iu referuar rastit të Jakup Krasniqit. Ishte skandaloze që edhe vendimi për caktim të paraburgimit dhe konfirmimi i aktakuzës, vetëm pjesërisht ishin të përkthyera në gjuhën shqipe dhe arsyetimi i DHS-së ishte se; ‘materialet po përkthehen”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Sipas këtij këshilli është “shkelje flagrante” e të drejtave të njeriut që shumica e të akuzuarve nuk kanë njohuri të mjaftueshme që mbrojtjen ta përgatisin në gjuhën që e imponon Gjykata Speciale.

“Për të bërë edhe më shumë presion në pamundësimin e mbrojtjes së të akuzuarve, Prokuroria Speciale në Hagë po përpiqet të frikësojë mbrojtësit duke kërkuar nga Trupi Gjykues t’i sanksionojë avokatët për opinionet e tyre publike në media të ndryshme”.

“Në kohën kur pikërisht kjo Prokurori Speciale në mënyrën më brutale e shkelë parimin e prezumimit të pafajësisë duke deklaruar, jo vetëm një herë se të akuzuarit mund të dënohen me burg të përjetshëm, pa një vendim të formës së prerë të Gjykatës përkatëse”.

Për çka po akuzohen ish krerët e UÇK-së?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Gjykata Speciale
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore