Lajme

Bisedimet e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit përsëri në një bllokim


Raundi i fundit i negociatave midis Izraelit dhe Hamasit kaloi një ngërç të dielën pasi ndërmjetësuesit u përpoqën të kapërcenin boshllëqet e mbetura dhe një delegacion i Hamasit u largua nga bisedimet në Kajro.

Kështu shkruan “New York Times” pas komunikimeve me dy zyrtarë të lartë të Hamasit dhe dy zyrtarë të tjerë të njohur me bisedimet.

Një zyrtar izraelit konfirmoi gjithashtu se, negociatat kishin ngecur dhe i përshkroi ato si në “krizë”.

Për muaj të tërë, negociatat që synonin arritjen e një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve kanë bërë pak përparim, por shenjat që të dyja palët po afroheshin më shumë me një marrëveshje u shfaqën javën e kaluar.

Izraeli hoqi dorë nga disa nga kërkesat e tij të mbajtura prej kohësh dhe një zyrtar i lartë i Hamasit tha se, grupi po studionte ofertën e fundit izraelite me një “frymë pozitive”.

Por pengesa gjatë fundjavës bëri që palestinezët që jetonin në kushte të mjerueshme në Gaza nuk do të përjetonin një pushim të afërt dhe familjet e pengjeve të mbajtura nga militantët do të duhej të prisnin më gjatë për lirinë e të dashurve të tyre.

Pengesa kryesore në bisedime ishte kohëzgjatja e një armëpushimi, me Hamasin që kërkonte që ai të ishte i përhershëm dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që shprehu hapjen vetëm për një ndalim të përkohshëm të luftimeve.

Hamasi fajësoi Netanyahun për mungesën e përparimit, i cili u zotua sërish ditët e fundit se ushtria izraelite do të pushtojë Rafahun, qytetin më jugor në Rripin e Gazës, me ose pa marrëveshje.

“Ne ishim shumë afër, por mendjengushtësia e Netanyahut ndërpreu një marrëveshje”, tha Mousa Abu Marzouk, një zyrtar i lartë i Hamasit, në një intervistë telefonike.

Netanyahu ka deklaruar prej javësh synimin e tij për të organizuar një ofensivë tokësore me synim në Rafah, ku rreth një milion palestinezë janë strehuar.

Administrata Biden i ka bërë presion Izraelit që të përmbahet nga ndërmarrja e një operacioni të madh në qytet.

Të dielën, Hamasi gjuajti afërsisht 10 raketa nga zona e kalimit kufitar, duke vrarë tre ushtarë pranë vendkalimit Kerem Shalom, sipas ushtrisë izraelite.

Sulmet me raketa nga Hamasi kanë qenë relativisht të rralla muajt e fundit dhe Izraeli tha se ishte përgjigjur me sulme ajrore që synonin vendin e lëshimit.

Dy zyrtarë amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti, kundërshtuan nocionin se bisedimet ishin në një ngërç, duke sugjeruar se palët po shqyrtonin detajet e propozimeve më të fundit.

Të dielën, Netanyahu tha se nuk do të pajtohej me tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza dhe përfundimin e luftës.

Përkrahja e kërkesave të tilla, tha ai, do të lejonte Hamasin të rivendoste kontrollin mbi Gazën, të rindërtonte aftësitë e tyre ushtarake dhe të kërcënonte komunitetet në të gjithë Izraelin.

Një delegacion izraelit nuk arriti kurrë në Kajro për raundin e fundit të bisedimeve.

Zyrtari izraelit tha se, Izraeli kishte kërkuar një përgjigje me shkrim për propozimin e tij të fundit nga Hamasi përpara se të dërgonte një delegacion, por se grupi nuk e përcolli kurrë një të tillë.

Të hënën, lidershipi politik i Hamasit do të mblidhet në Doha për të diskutuar atë që ndodhi në Kajro gjatë dy ditëve të fundit, por grupi synonte të vazhdonte të merrte pjesë në negociata me “pozitivitet”, tha një nga zyrtarët e lartë të Hamasit.

Marrë nga “New York Times”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore