Lajme

Kërkoi qasje më të balancuar, Borrell e Lajçak takojnë ndarazi Plenkoviç-in


Andrej Plenkovic, Miroslav Lajcak dhe Josep Borrell.

Pak ditë pasi që Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, në një prononcim para gazetarëve në kuadër të samitit të udhëheqësve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, kishte thënë se politika e Unionit në raport me Kosovën dhe Serbinë duhet të jetë më e balancuar dhe se hapa për de-eskalimin e situatës në Veri të Kosovës duhet të ndërmarrin të dyja palët, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari sepcial i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, janë takuar ndarazi këtë të shtune me kreun e ekzekutivit kroat.

Duke treguar për takimin me Plenkoviç-in, përmes një cicërime në rrjetin social “Tëitter”, Borrell tha se kanë biseduar dhe kanë shkëmbyer pikëpamje për situatën në Veri të Kosovës, por edhe për situatën e krijuar në Bosnje e Hercegovinë, pas veprimeve anti-Dejton të presidentit të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Millorad Dodik.

“Faleminderit, kryeministër Andrej Plenkovic për një shkëmbim të rëndësishëm mbi situatën rajonale, veçanërisht për BeH. Gjithashtu në Veri të Kosovës, në momentet kur duhet të jemi të bashkuar, të fokusuar në de-përshkallëzimin dhe zgjidhjet e realizueshme. Historia e suksesit të Kroacisë është një demonstrim i qartë i fuqisë transformuese të BE-së”, shkroi ai në Twitter.

Nga ana tjetër, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se me kryeministrit kroat me kanë diskutuar për situatë në Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Prishtinë-Beograd.

Diplomati sllovak ka shprehur mirënjohjen e BE-së për mbështetjen që po shfaq Zagrebi zyrtar në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

“Sot pata një takim të dobishëm me Andrej Plenkovic në Dubrovnik. Ne folëm për gjendjen në Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Mirënjohës për mbështetjen e Kroacisë në përpjekjet tona për të gjetur një rrugë përpara dhe për t’u kthyer në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut”, ka shkruar ndër të tjera Lajçak në rrjetin e tij social në Twitter.

Si Lajçak, ashtu edhe Borrell me kryeministrin Plenkoviç, janë takuar në kuadër të margjinave të Forumit të Dubrovnikut, në Kroaci.

Ndryshe, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, në një prononcim para gazetarëve në kuadër të samitit të udhëheqësve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, me 30 qershor, kishte theksuar se politika e Unionit në raport me Kosovën dhe Serbinë duhet të jetë më e balancuar dhe se hapa për de-eskalimin e situatës në Veri të Kosovës duhet të ndërmarrin të dyja palët.

“Ne pamë se si, në çfarë mënyre dhe kush i sulmoi ushtarët e KFOR-it dhe EULEX-it. Stabilizimi – po, pjesëmarrja në zgjedhje – po, bisedimet me të dyja palët – po respektimi i marrëveshjes – po dhe krijimi i parakushteve për normalizimin e marrëveshja – po. Mesazhi është një qasje e balancuar, jo presion mbi njërën nga palët”, tha ai i pyetur nga një gazetar kroat në Bruksel nëse flitet për presion edhe ndaj Serbisë.

Plenkoviç: BE-ja të jetë më e balancuar, mos të ushtrojë presion vetëm te njëra palë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore