Lajme

Kenia, në alarm pas numrit të lartë të vetëvrasjeve


Autoritetet në Kenia janë alarmuar nga shifrat tronditëse të vetëvrasjeve në vend.

Pothuajse 500 persona raportohet se kanë vrarë veten përgjatë tre muajve, deri në qershor të këtij viti, shifër kjo që tejkalon numrin total të vitit 2020, sipas policisë keniane.

Personi më i ri, që mori jetën e tij, ishte nëntë vjeç, ndërsa më i vjetri 76.

483 vdekjet e regjistruara tregojnë një rritje të dukshme në mesataren vjetore prej rreth 320 rastesh, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

George Kinoti, i cili drejton Drejtorinë e Policisë për Hetimet Penale, tha se: “ne kurrë nuk kemi regjistruar një numër kaq të lartë të vetëvrasjeve më parë.

Kjo, jo vetëm që është alarmante, por bëj thirrje për masa urgjente përmirësuese”.

Nuk është dhënë asnjë arsye për rritjen nga autoritetet keniane, por një raport i publikuar në qershor nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) tha: “Vetëvrasjet ndodhin në mënyrë impulsive, në momentet e krizës, me një thyerje të aftësisë për t’u marrë me streset e jetës, të tilla si probleme financiare, prishje të marrëdhënieve ose dhimbje dhe sëmundje kronike”.

Ai shtoi se në vitin 2019, “mbi 77% e vetëvrasjeve globale ndodhën në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”.

Vitin e kaluar, Komisioni Kombëtar i Kenia-s për të Drejtat e Njeriut (KNCHR) tha se 1 mijë e 442 kenianë tentuan vetëvrasje midis 2015-s dhe 2018-s, të cilat ai tha se ishin shifra konservatore, pasi vetëm një pjesë e rasteve u raportuan.

Organizata e lidhi rritjen e rasteve me sëmundjen mendore të shkaktuar nga prishja e masave mbrojtëse socio-ekonomike, duke thënë se ishte “mjeti i fundit dhe rruga e arratisjes për individët me nevoja të patrajtuara të shëndetit mendor”.

“Hulumtimet kanë treguar se përcaktuesit strukturorë të shëndetit mendor, siç është varfëria ekstreme, mungesa e qasjes në mundësitë e fuqizimit dhe diskriminimi rrisin gjasat që individët të kryejnë vetëvrasje”, tha KNHCR.

“Fatkeqësisht, masat e parandalimit të vetëvrasjeve në Kenia shpesh kanë dështuar në adresimin e këtyre shkaqeve rrënjësore.

Në vend të kësaj kanë përfshirë më pak qasje efektive, përfshirë masat ndëshkuese”.

Të dhënat nga Banka Botërore tregojnë se nivelet e vdekshmërisë nga vetëvrasjet në Kenia janë 6.1 persona në çdo 100 mijë, ku meshkujt janë në kategorinë më të lartë të rrezikut.

Eddy Kimani, një personalitet i njohur i medias në vend që luftoi me periudhat e shëndetit të sëmurë mendor, tha se burrat kenianë prireshin më shumë ndaj periudhave të depresionit që çuan në vetëvrasje, për shkak të stereotipive për atë që “do të thotë të jesh burrë”.

Burrat në përgjithësi po marrin jetën në Kenia, për shkak të kuptimit të shtrembëruar të asaj që është të jesh burrë.

Një burrë afrikan ruan ndjenjat e tij, sepse ka frikë nga pasojat në një shoqëri që i ka mësuar burrat që ata të mos qajnë, se ata nuk duhet të tregojnë emocionet e tyre ose të jenë të prekshëm.

“Ka burra që më mirë preferojnë të shkojnë për një kontroll të prostatës, sesa të vizitohen te një psikiatër”, tha ai.

Raporti i KNCHR tha se, përpjekjet për të adresuar shkaqet rrënjësore të vetëvrasjes, u penguan nga kriminalizimi i tentativës për vetëvrasje.

Në nivel global, 703 mijë njerëz marrin jetën çdo vit, me OBSH-në që deklaroi se vetëvrasja ishte shkaku i katërt kryesor i vdekjes midis 15 dhe 29-vjeçarëve në vitin 2019.

OBSH citoi të dhëna të dobëta, mungesën e vetëdijes për vetëvrasjen si një çështje kryesore e shëndetit publik, duke diskutuar hapur vetëvrasjen, si dhe pengesat për të luftuar problemin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore