Lajme

Kanadaja shënon rekord për dhënien e lejeve të përhershme të qëndrimit


Vitin e kaluar Kanadaja ka vendosur një rekord.

Vendi u ka dhënë më shumë se 437 mijë të huajve rezidencë të përhershme, ka bërë me dije qeveria e atjeshme.

Qeveria kanadeze kishte vendosur një objektiv për të mirëpritur 431 mijë e 645 banorë të rinj të përhershëm në vitin 2022.

Dhe referuar ministrisë përkatëse, Kanadaja e ka arritur këtë objektiv për ta bërë atë numrin më të madh vjetor të njerëzve në historinë kanadeze.

Shifra për vitin e kaluar është rreth nëntë për qind më e lartë se viti 2021, kur Kanadaja tejkaloi rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 1913.

E gjitha vjen pasi Kanadaja kërkon të sjellë 1.45 milionë banorë të rinj të përhershëm deri në fund të vitit 2025.

Duket se emigrantët janë një pjesë kyçe e zgjidhjes teksa Kanadaja fokusohet në adresimin e mungesës akute të tregut të punës.

Sakaq, emigracioni përbën thuajse 100 për qind të rritjes së fuqisë punëtore të Kanadasë.

Ndërkohë pritet që deri në vitin 2036, emigrantët të përfaqësojnë deri në 30 për qind të popullsisë së vendit, nga 20.7 për qind në vitin 2011.

Që nga ardhja në pushtet në vitin 2015, qeveria e kryeministrit Justin Trudeau është mbështetur atje për të nxitur ekonominë kanadeze dhe për të mbështetur një popullsi në plakje.

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar në industri si kujdesi shëndetësor është akute.

Madje, të dhënat më të fundit zyrtare tregojnë se kishte 871 mijë e 300 vende të lira pune në tetor, nga një nivel rekord prej mbi një milion në maj.

Megjithatë, shumë emigrantë ende luftojnë për të gjetur punë në fushën e tyre. Dhe për këtë mendohet se mbështetja nuk është rritur në ritmin e duhur me numrin e banorëve të rinj të përhershëm.

Po ashtu vendi ka luftuar për të vazhduar me një rritje të aplikimeve pasi kufizimet e lidhura me pandeminë u lehtësuan.

Kjo sepse numri i aplikimeve të përpunuara u dyfishua në rreth 5.2 milionë në vitin 2022 nga viti i kaluar, referuar ministrisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore