Lajme

Kamionistët kanadezë, që protestojnë në Ottawa, nuk do të lëvizin vendit


Çka nisi si një protestë kundër vaksinimeve të detyrueshme për kamionistët për të kaluar kufirin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tanimë është shndërruar në mospajtim më të gjerë kundër qeverisë liberale të kryeministrit Justin Trudeau.

Gjithashtu perceptohet si një shtrëngim i të drejtave dhe lirive individuale.

Kamionistët kanë bllokuar një pjesë të qendrës së qytetit të Ottawa-s, afro 1.5 kilometra e gjatë, e quajtur Zona e Kuqe nga Policia e Ottawa-s, ku shumica e bizneseve dhe ndërtesave të zyrave mbeten të mbyllura.

Ky seksion i qytetit është shtëpia e selisë së qeverisë, muzeve dhe ndërtesave të zyrave.

Policia vlerëson se më shumë se katërqind kamionë dhe automjete të tjera mbetën të parkuar në mes të rrugëve, kryqëzimeve ose brenda kryqëzimeve të policisë që përvijojnë Zonën e Kuqe.

“Mund të qëndrojmë këtu për muaj të tërë nëse duam”, ka thënë Harold Jonker, shofer kamioni 49-vjeçar nga rajoni i Niagarës.

“Qëllimi ynë është shumë i thjeshtë: t’i heqim të gjitha bllokimet dhe vaksinimin e detyrueshëm dhe të sjellim liritë në këtë vend. Ajo që nuk e dinim, ishte se sa e madhe do të ishte mbështetja”, ka vijuar Jonker.

Kamionisti tjetër, Leo Schmidt, ka treguar se e ka kaluar rregullisht kufirin e SHBA-ve për 41 vjet, por rregulloret e reja e kanë ndaluar atë, duke i kushtuar mijëra dollarë.

Jo më larg se të mërkurën, demonstruesja Roze Ravensbergen skuqi vezë, proshutë dhe theku bukë në një tavolinë pikniku të palosshme.

Ajo shpërndante ushqim për këdo që e kërkonte, duke krijuar një atmosferë të komunitetit teksa qëndronte pranë pirgjeve me furnizime me ujë, ushqim dhe rroba.

Demonstruesja ka thënë me bindje se kishte në plan të qëndronte “për aq kohë sa të nevojitej” që kërkesat e kamionistëve të plotësoheshin.

Ravensbergen udhëtoi bashkë me burrin dhe tre fëmijët nga Gadishulli Niagara për të mbështetur kunatin, kamioni i të cilit ka qenë i parkuar në rrugën Wellington që nga 28 janari.

Ajo ka rrëfyer se disa anëtarë të familjes flenë në kamion, ndërsa ajo dhe tre fëmijët kalojnë netët në një motel.

Mes protestuesve ka një atmosferë argëtuese, por për shumë banorë të Ottawa-s pakënaqësia është rritur.

Automjetet kanë zënë një rrugë kryesore tregtare, Rideau, pesë minuta në këmbë nga rruga Wellington dhe Parlamenti i Kanadasë.

Kurse përtej qendrës së qytetit, ka më shumë prova se kamionistët nuk kanë ndër mend të largohen.

Mësohet se një grup ka ngritur kampin në parkingun e stadiumit të bejsbollit, të ofruar nga qyteti si opsion për tejkalim automjetesh.

Ai është kthyer në një postë me furnizime për ata që ndodhen rreth gjashtë kilometra larg.

Më shumë se shtatëdhjetë automjete të të gjitha llojeve janë të parkuara në parcelën ku është vendosur një tendë, një barakë druri dhe disa ngrohëse.

Për kamionistët, karburanti është një nga nevojat kryesore dhe protestuesit kanë luajtur macen me miun me policinë që ka arrestuar njerëz për transportimin e tij.

Për të ngatërruar autoritetet, protestuesit dhe mbështetësit e tyre kanë lëvizur brenda dhe jashtë Zonës së Kuqe me bombola karburanti bosh, duke e bërë më të vështirë zbulimin e transportuesve të vërtetë.

Një oficer policie i Ottawa-s ka thënë se “thjesht po përpiqemi të mbajmë një linjë të hapur me protestuesit. Duam që kjo të përfundojë në mënyrë paqësore”.

Lëvizja e protestuesve nuk do të ishte e lehtë. Shumica janë kamionë të mëdhenj të rëndë, të cilët nuk do të krahasoheshin me mjetet tërheqëse që kanë në dispozicion autoritetet.

Madje Jonker ka thënë se çdo kompani tërheqëse me kapacitetin për t’i lëvizur ato, nuk do ta bënte këtë “sepse jemi klientët e tyre…. ata nuk do të na prekin kurrë”.

Marrë nga rrjeti mediatik “Al Jazeera”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore