Lajme

Kah çon “Rruga e re” e LDK-së: Intervistë e Albanian Post me Lutfi Hazirin


Lutfi Haziri

“Me nismën ‘Rruga e Re’, Lidhja Demokratike e Kosovës, synon që bëjë koalicion me qytetarin, që Kosovës t’i jepet pamje e re”, thotë në një intervistë për Albanian Post nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

“Rruga e Re”, sipas Hazirit është dokument i ri i politikave sektoriale dhe i programit qeverisës, që LDK i ka diskutuar me mbi 200 ekspertë.

“Kjo është ajo që ne ofrojmë si opsion qeverisës me saktësi të identifikuara të gjitha problemet në arsim, shëndetësi, ekonomi, ambient, infrastrukturë dhe të gjitha sektorët”, tha Haziri.

Pos zhvillimeve në partinë e tij, Haziri ka folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë, marrëveshjen e Brukselit/Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën e ka cilësuar si “dakordancen me të keqe”.

“Është bërë konluzë në Këshillin e Evropës dhe është bërë barometër matës i progresit të integrimeve evropiane përmes dialogut”, ka shpjeguar ai.

I dyti i LDK-së ka kërkuar nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti që të riparohen raportet e dëmtuara me NATO-n, ShBA-në dhe BE-në.

‘Në këtë situatë, duhet të riparohen marrëdhëniet, të cilat janë të dëmtuara edhe me BE-në, NATO-n, Shtëpinë e Bardhë dhe raportet jashtëzakonisht të tensionuara me Malin e Zi, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut”.

Për ish-kryetarin e Gjilanit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka shndërruar Kosovën si vend të krizave politike, teksa shton se nuk po shihet “dritë në fundit të tunelit’.

Gjendje më të rëndë nuk mbahet mend të ketë pasur Kosova. Plasja e skandaleve me rezervat e shtetit apo magjen e popullit, me energjinë, përkatësisht me GEN’in e Serbisë, problemet e me kushërinjtë dhe nepotizmin që po shkaktohet, tregon qartë që gjendja lë shumë për të dëshiruar”.

Haziri thotë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme, teksa nuk është i qartë kur pyetet nëse do t’i hyjë garës edhe njëherë për kryetar të LDK-së.

“Kuvendi vendosi që Abdixhiku të jetë kryetar dhe tani ai e kërkon këtë mundësi si mandat në Kuvendin e ardhshëm dhe nuk kemi kandidatura të tjera deri atëherë”, potencoi Haziri.

Intervista e plotë e Lutfi Hazirit për Albanain Post:

Albanian Post: Ju keni filluar nismën “Rruga e re”, cili është ndryshimi me këtë nismë, çka saktësisht përmban ajo ndryshe si koncept politik?

Lutfi Haziri: Rruga e re është dokument i ri i politikave sektoriale dhe i programit qeverisës, që LDK i ka diskutuar me mbi 200 ekspertë, teknokratë dhe autoritete që përfaqësojnë  dije sektoriale, duke nënvizuar gjendjen aktuale, problemet e brendshme, projeksionet buxhetore, burimet financiare dhe metodën e zgjidhjes së problemeve që i ka Republika e Kosovës. Kjo është ajo që ne ofrohemi si opsion qeverisës me saktësi të identifikuara të gjitha problemet në arsim, shëndetësi, ekonomi, ambient, infrastrukturë dhe të gjitha sektorët. Ky dokument mbetet i hapur për të marrë imput, rekomandim, sugjerim, në mënyrë që të behet dokument përtej LDK-së. Qëllimi ynë është që të bëhet koalicioni me qytetarin e Republikës sonë dhe të ndërtojmë besimin në këtë program, i cili i jep Kosovës pamje tjetër, zgjidhje të problemeve, funksionalitet të shtetit dhe e bën Republikën tonë atdhe të dashur.

Albanain Post: Siç e kemi parë, marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel nuk zhbëhen dot, prandaj edhe kjo e fundit e nënshkruar nga Kurti me gjasë do të jetë e pazhbëshme dhe do t’i dalë në tavolinë edhe qeverisë të së nesërmes. Çfarë do të bëjë LDK me të?

Lutfi Haziri: Marrëveshjet ndërkombëtare janë obligim i Republikës. Është e vërtet që marrëveshja e Ohrit është marrëveshja më e keqe, sepse jo vetëm që u humb një momentum për të realizuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative e ligjore, por është bërë një marrëveshje e përkohshme. Po ashtu, është bërë konluzë në Këshillin e Evropës dhe është bërë barometër matës i progresit të integrimeve evropiane përmes dialogut. E vërteta e madhe është që marrëveshjet çdo qeveri që i bën, janë përgjegjësi të Republikës.

Albanian Post: Ta refuzojë, i bie që kundërshton kërkesën e bashkësisë ndërkombëtar, për çka ju i keni thënë Vetëvendosjes që të mos acarohet me këtë bashkësi, në anën tjetër ta pranojë, i bie se po pranon diçka që vetë e ka kritikuar në të kaluarën. Cila është zgjidhja?

Lutfi Haziri: Tani obligimet ndërkombëtare të Kosovës nuk është mirë që të diskutohen. Ato merren si përgjegjësi. Z. Kurti po e lyp shpëtimin e marrëveshjes së tij të keqe në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 dhe kjo është e vërtet. I ka dhënë të drejt të plotë LDK-së dhe partnerëve të tjerë për marrëveshjet e kaluara, të cilat kanë qenë e keqja më e vogël e mundshme që ka mund të ndodh. Në këtë situatë, duhet të riparohen marrëdhëniet, të cilat janë të dëmtuara edhe me BE-në, NATO-n, Shtëpinë e Bardhë dhe raportet jashtëzakonisht të tensionuara me Malin e Zi, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Albanian Post: A do ketë zgjedhje të reja këtë vit dhe LDK a është e interesuar për zgjedhje të reja?

Lutfi Haziri: Çdo ditë që nuk mbahen zgjedhjet neve na jep të drejt dhe LDK është gatshme në çdo kohë. Dëmi që është duke u shkaktuar do të jetë vështirë i riparueshëm dhe sa më shpejt që do të mbahen zgjedhjet do të jetë më mirë për Kosovën. Sa më shumë që vonohen zgjedhjet, do të jetë më mirë për LDK-në

Albanain Post: LDK së shpejti do të duhej të shkonte në zgjedhje të brendshme, a e shihni vetën duke kandiduar për kryetar të LDK-së?

Lutfi Haziri: Unë jam kandiduar në zgjedhje të jashtëzakonshme, në një Kuvend ku LDK i ka pasur ditë e saja të këqija, të errëta. Rezultati i keq në zgjedhje dhe dorëheqja e kryetarit të LDK-së hapi mundësi, dhe duke mos u frikësuar prej atij rezultati të keq, unë kam hyrë me bindje e potencial të plotë, duke u bazuar edhe në meritokraci, rend e mundësi, që të kandidojë. Kuvendi vendosi që z. Abdixhiku të jetë kryetar dhe tani ai e kërkon këtë mundësi si mandat në Kuvendin e ardhshëm dhe nuk kemi kandidatura të tjera deri atëherë.

Albanian Post: Si e shihini qeverisjen e deritashme të Qeverisë Kurti, pos popullzimit që e keni akuzuar, a shihini edhe diçka pozitive?

Lutfi Haziri: Fatkeqësisht, në krejt diskutimet që i kemi pasur si LDK dhe përcjellja jonë ditore në politikat sektoriale, gjendja ka degraduar, është përkeqësuar, nuk është përkeqësuar në asnjë sektor. Në procese politike si dialogu dhe marrëdhëniet e jashtme, gjendja është edhe më e rëndë. Kosova po shihet si vend i politikave të këqija dhe i krizave politike. Gjendje më të rëndë nuk mbahet mend të ketë pasur Kosova. Nuk duket një dritë në fund të tunelit të ndonjë suksesi. Për vet faktin që dështimi i fundit me furnizim me libra për fëmijë të Kosovës, e në anën tjetër u blenë fëmijëve të Preshevës e Bujanocit, tregon qartë që është paaftësi menagjeriale, me mungesë të dijes, organizimit e vizionit, jo vetëm në sektorin e arsimit, por edhe në sektorët tjerë. Nuk po shoh asgjë që mund të thuhet se diçka po ndodh. Plasja e skandaleve me rezervat e shtetit apo magjen e popullit, me energjinë, përkatësisht me GEN’in e Serbisë, problemet e me kushërinjtë dhe nepotizmin që po shkaktohet, tregon qartë që gjendja lë shumë për të dëshiruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore