Lajme

Kadri Veseli padit deputetin e LVV-së për shpifje


Kadri Veseli

Avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, Faton Fetahu, ka njoftuar se të martën ka dorëzuar padi për shpifje kundër deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica.

Padi ka të bëjë me një deklarata të Korencisë lidhur me rrethanat e dështimit të një projekti në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës, e cila nga avokati i Veselit, është konsideruar si “shpifje e pashembullt”.

“Deputeti Korenica këtë deklaratë e kishte dhënë për portalin ‘Indeksonline’ dhe artikulli ishte publikuar me titull: ‘ATK-ja ‘akshom Pazar’ me pozita, avancohen punëtorët që dëmtuan buxhetin’”, ka njoftuar Fetahu, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook.

Pas deklaratës, Fetahu, ka njoftuar se deputetit Korenica i është kërkuar përmirësimi i shprehjes shpifëse, përkatësisht tërheqjen nga deklarata.

“Kaluan gjashtë javë dhe deputeti e injoroi kërkesën duke e zgjedhur heshtjen. Pra, ai e artikuloi këtë shpifje, u sigurua ta publikonte dhe ta shpërndante në medie një deklaratë të tillë të pavërtetë, por nuk e provoi asnjëherë me asnjë fakt të vetëm. Në këto rrethana, rruga gjyqësore mbeti e paalternativë”, ka shtuar Fetahu.

Fetahu ndër të tjera ka uruar që gjykata “do ta trajtojë me efektivitet këtë rast gjyqësor duke e konstatuar shpifjen e z. Korenica dhe të njëjtin do ta mbajë përgjegjës për dëmet e shkaktuara, dhe në asnjë mënyrë të parashkruhet lënda, si në të kaluarën në një rast kërcënimi me jetë ndaj zotit Veseli”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore