Përballje

Juventus fiton përsëri, afrohet me Atalanta-n që sërish gabon 


Serie A ka filluar javën e 19-të, dhe në fokus kanë qenë Atalanta dhe Juventus.

Të dy skuadrat janë përballur me skuadra në zonën e ftohtë të tabelës, me njërën që ka pasur sukses dhe tjetrën që gaboi përsëri.

Pas humbjes 1-4 nga Roma, Atalanta nuk arriti të gjejë vetën për të gjetur fitoren në fushën e Genoa-s, që kishte humbur katër ndeshjet e fundit.

Edhe pse takimi ishte në tërësi i dominuar nga Atalanta, skuadra e Gasperini-t nuk arriti të gjejë golin.

Kështu, Atalanta gabon dhe lëshon edhe më shumë terren në luftën për titull, duke rrezikuar edhe vendin e katërt me skuadrat tjera që po afrohen nga prapa.

Nga gabimi i Atalanta-s, direkt përfitoi Juventus-i.

Zonja e vjetër ishte nikoçire e Cagliari-t në “Allianz Stadium”, dhe ndeshjen e menaxhoi shumë mirë.

Numrin me fat, ata e kishin zgjidhur 40-shin.

Në minutën e 40 të secilës pjesë, Juventus-i e gjeti golin duke arritur një fitore të pastër me rezultat 2-0.

Në pjesën e parë, ishte Moise Kean ai që gjeti rrugën e rrjetës, pas pasimit nga Bernardeschi.

Ky i fundit ishte protagonist përsëri, këtë herë duke e gjetur rrugën e rrjetës.

Me këtë fitore Juventus ngjitet në kuotën e 34 pikëve, përkohësisht në vendin e pestë.

Bardhezinjtë kanë tani vetëm katër pikë më pak se Atalanta, dhe lufta për një vend në Champions është më e hapur se asnjëherë më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore