Përballje

Joao Felix kërkon largimin nga Atletico Madrid


Joao Felix po e mendon seriozisht largimin nga Atletico Madrid-i.

Portugezi 22-vjeçar nuk është shumë i lumtur me jetën në klubin “Rojiblancos”, dhe po kërkon një aventurë të re.

Të paktën, kështu raporton e përditshmja spanjolle, AS.

Sipas tyre, ekipi dhe agjentët e Joao Felix, po kërkojnë një rrugë jashtë Atletico-s.

Klubi madrilen nuk po e konsideron largimin e tij për momentin, mirëpo ata bëjnë të ditur që asnjë futbollist nuk do të qëndrojë në skuadër kundër dëshirës së tij.

Felix u transferua te Atletico Madrid-i në verën e vitit 2019, por portugezi nuk e ka gjetur veten siç pritej te Atletico.

Në raportin e AS, thuhet se ai nuk përshtatet me stilin e lojës të cilin e organizon Diego Simeone.

Shumë gjëra varen edhe nga rezultati që Atletico Madrid do të ketë sot në Champions League.

Nëse klubi madrilen nuk arrin kualifikimin tutje, atëherë Felix mund të kërkojë largimin qysh në janar.

Skuadra të interesuara për të ende nuk janë shfaqur, por talenti i tij tërheq shumë vëmendje.

A do të vazhdojë të mbetet në Madrid, në Spanjë, apo diku tjetër, mbetet të shihet.

Një derë dhe mundësi e artë, po hapet për klubet në merkato, me super talentin portugez që tani është në dispozicionin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore