Lajme

Jahjaga: Pandemia ka përkeqësuar gjendjen e viktimave të dhunës në familje


Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga, ish-presidentja e Kosovës, ka thënë se pandemia e COVID-19 e ka përkeqësuar gjendjen e viktimave të dhunës me baza gjinore.

Këto komente ajo i bëri në një diskutim të organizuar nga Grupi i Grave për Politikë të Jashtme, ku ishte ftuar të flasë në cilësinë e ish-presidentes.

“Për viktimat e dhunës me bazë gjinore pandemia ishte një barrë më e madhe se për ne të tjerët pasi ato ishin të mbyllura brenda me dhunuesit e tyre pa asnjë mundësi për t’i shpëtuar dhunës”, është shprehur Jahjaga.

Ish-presidentja, theksoi se Kosova dhe vendet e tjera “me plane konkrete veprimi” duhet të përfshijnë dhunën me bazë gjinore në strategjitë për reagimin ndaj sfidave që i sjell pandemia COVID-19.

Ilustrim; dhuna ne familje

Sipas Jahjagës shtysë në përkeqësimin e këtij fenomeni është bllokimi i sistemit gjyqësor dhe vonesa e trajtimit të rasteve të dhunës në baza gjinore.

“Kjo nuk duhet të ndodhë më pasi një vonesë në proces do të thotë vonesë në qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës me bazë gjinore”, tha ajo.

Në Kosovë, gratë përbëjnë shumicën e viktimave të dhunës në familje.

Rikujtojmë se sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjatë periudhës janar – tetor të vitit 2021, ky institucion ka pranuar 1 mijë e 28 raste të dhunës në familje, ndërsa ka zgjidhur 711 raste të tilla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore