Lajme

Izraeli mësyn Rafahun, ka pasur shpërthime të shumta


Izraeli ka vendosur të zhvillojë planin për mësymjen e Rafahut dhe disa tanke janë futur në territorin lindor, ku janë dëgjuar shpërthime të shumta sipas raportimeve nga mediat që mbulojnë Lindjen e Mesme.

Vendimi është marrë nga kabineti i luftës, fill pas daljes publike të Hamasit, duke thënë se kishin pranuar një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari.

Por, pala izraelite i quajti të papranueshme kushtet e këtij ndërmjetësimi dhe argumentoi se nuk ishte akordi fillestar i vendosur mes palëve, por një “marifet” i Hamasit për të fituar kohë me Rafahun.

Mbi këtë të fundit, Izraeli në mëngjes bëri thirrje që të evakuohej e gjithë pjesa lindore, pasi do të kishte inkursion të Ushtrisë së shtetit hebre.

Ai inkursion duket se ka ardhur tashmë, ku një konfirmim vjen edhe nga SHBA-të. Zyrtarë amerikanë i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters se Izraeli e ka vendosur që të vijojë me operacionin në Rafah, pavarësisht se Washingtoni është tërësisht kundër.

Shkalla e mësymjes izraelite është ende e paqartë aktualisht dhe detaje nga vendi i ngjarjes priten.

Nga ana tjetër, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë dalë me një deklaratë, ku shkruhet se tani janë duke sulmuar dhe operuar kundër objektivave të organizatës terroriste Hamas në një mënyrë të synuar në Rafahun lindor.

Një fije shprese për bisedimet rreth armëpushimit ndërkaq kanë ardhur nga zyrat e Benjamin Netanyahut, ku është thënë se pavarësisht se marrëveshja nuk është ajo e dakordësuar që prej fillimit të bisedimeve, ishte mjaft e afërt për t’u përpjekur për të vijuar e thelluar më tej bisedimet, me qëllim arritjen e një akordi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore