Lajme

Italia lehtëson masat anti-COVID për udhëtarët nga Kosova


Flamuri i Kosovës dhe i Italisë.

Ambasada e Kosovës në Itali, ka bërë të ditur se Italia ka lehtësuar masat anti-COVID për të gjithë ata që udhëtojnë jashtë drejt këtij shteti, përfshirë edhe Kosovën.

Masat e reja lehtësuese do të hyjnë në fuqi me 1 mars dhe do të jenë në fuqi deri më 31 mars.

“Me qëllim të rikthimit të normalitetit në vend, Ministria e Shëndetësisë e Italisë ka nënshkruar urdhëresën e re që parashikon lehtësimin e masave për të gjithë ata që udhëtojnë nga shtetet jashtë BE-së, në të cilën është përfshirë edhe Kosova”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Itali.

Qytetarët të cilët do të hyjnë në Itali duhet të plotësojnë formularin dixhital dhe po ashtu të paraqesin certifikatën e vaksinimit, në qoftë se nuk posedojnë dëshminë e vaksinimit, duhet të izolohen për pesë ditë.

“Në mungesë të paraqitjes së ndonjërës prej certifikatave të sipërpërmendura, do të aplikohet masa e vetë-izolimit prej 5 ditësh në adresën e shënuar në Passenger locator Form, me detyrimin që pas përfundimit të vetë-izolimit të bëhet një test antigjen apo tampon molekular”, sqarohet tutje.

Ambasada e Kosovës në Itali.

Më 20 shkurt, Gjermania ka ndryshuar listën e vendeve me rrezikshmëri të lartë.

Heqja e shteteve nga lista do të thotë se udhëtarët nga këto vende nuk kanë nevojë t’u përmbahen disa rregullave dhe karantinimeve.

Nga kjo listë, qeveria federale ka hequr rreth 20 vende nga lista e zonave me rrezik të lartë, përfshirë edhe Spanjën, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.

Kështu ka bërë të ditur Instituti Robert Koch (RKI).

Tunizia, Maroku dhe India janë hequr po ashtu nga lista, si dhe disa pjesë të Francës.

Kjo mundëson ardhjen më të lehtë të udhëtarëve nga këto vende në Gjermani, sepse këto vende nuk klasifikohen më si zona me rrezik të lartë. Në vendimin e fundit asnjë vend tjetër nuk është klasifikuar si zonë me rrezik të lartë, shkruan DË.

Vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina vazhdojnë të mbeten në listën e vendeve të rrezikuara, sikur edhe Zvicra dhe shumë vende të tjera fqinje të Gjermanisë.

Edhe Zvicra e ka lënë Kosovën në listën e vendeve me rrezik të lartë për COVID-19.

Ndryshe, Zvicra nga 17 shkurti ka lehtësuar masat anti-COVID, duke lejuar të mbahen edhe tubime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore