Euro 2020

Itali-Turqi, përballja që ngre siparin e Kampionatit Evropian “Euro 2020”


Ndeshja hapëse e Euro 2020 mes Italisë dhe Turqisë

Ekzaktësisht 12 muaj më vonë, do të fillojë ngjarja më e rëndësishme futbollistike në Kontinentin e Vjetër në rang përfaqësuesesh. Përballja që ngre siparin e “Euro 2020” do të jetë ajo mes Italisë dhe Turqisë.

Kjo ndeshje do të zhvillohet këtë të premte më fillim nga ora 21:00, e cila do të jetë në vëmendje të shumë adhuruesve të futbollit në botë.

Martin Garrix, Bono dhe The Edge do të performojnë në ceremoninë hapëse këngën zyrtare të UEFA Euro 2020, në praninë e rreth 24 mijë tifozëve në stadiumin “Olimpico” të Romës.

Këto dy kombëtare, ndeshjen e fundit garuese mes tyre, e kanë zhvilluar në vitin 2000, pikërisht në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian, ku Italia e fitoi atë përballje me rezultat 1:2, me golat e shënuar nga Antonio Conte dhe Philippo Inzaghi.

Interesant është fakti se Italia, të vetmin Kampionat Evropian që ka fituar në historinë e saj, finalen e kishte zhvilluar pikërisht në “Olimpico” të Romës, kundër Ish-Jugosllavisë.

Në total, Italia dhe Turqia, janë përballur pesë herë në ndeshje garuese, ku katër herë ka fituar Italia, ndërsa një ndeshje ka përfunduar në barazim.

Sa i përket ciklit kualifikues në “Euro 2020”, Italia ishte fantastike, duke arritur maksimumin e pikëve në grupe, deri sa Turqia përfundoi në vendin e dytë të Grupit H, pas Francës.

Këto dy kombëtare bëjnë pjesë në Grupin A të Kampionatit Evropian, së bashku me Zvicrën dhe Uellsin.

Italia do të hyjë në këtë ndeshje, me një rekord fantastik sa u përket rezultateve pozitive. Të kaltrit e Roberto Mançin-it, ndeshjen e fundit e kanë humbur më 10 shtator të vitit 2018, përballë Portugalisë.

Sa u përket formacioneve, Italia pritet të hyjë në sulm me Insigne, Immobile e Berardi, teksa mesfusha pritet të përbëhet nga Jorgino, Barella e Locatelli, kurse në mbrojtje dyshja Bonucci, Chiellini pritet të ndihmohet nga krahët, Spinazzola e Florenzzi dhe në portë do të jetë Donnarumma.

Ndërsa Turqia ka në përbërje një nga skuadrat më të mira të viteve të fundit.

Trajneri Senol Gunes, në sulm, do të vendosë dyshen e skuadrës së Lille, Yilmaz dhe Yazici, të cilët pritet të ndihmohen nga sulmuesi i skuadrës së Dusseldorf, Karaman.

Mesfusha pritet të përbëhet nga Calhanoglu i Milan-it, Tufan i Fenerbahce-s, dhe Yokuslu i skuadrës angleze West Bromwich Albion.

Ndërsa në mbrojtje pritet të vendosen katërshja: Meras, Soyuncu, Demiral, Celik dhe në portë do të jetë Cakir.

Gjyqtarët kryesorë të takimit do të jenë treshja holandeze Danny Makkelie, Hessel Steegstra dhe Jan De Vries, ndërsa francezja Stephanie Frappart do të jetë zyrtari i katërt, kurse në VAR do të qëndrojë holandezi Kevin Blom.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore