Lajme

Ish-kryetari i Mitrovicë së Veriut: Serbët do t’i bojkotojnë masivisht zgjedhjet – të dëshpëruar nga ndërkombëtarët që po i njohin rezultatet


Milan Radojevic

Ish-kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut nga Lista Serbe, Milan Radojeviç, ka deklaruar se bojkotimi i zgjedhjeve në veri nga serbët është një formë e rezistencës demokratike, në një deklarim për televizionin publik serb.

Ai ka shtuar se situata është e tensionuar në Veri dhe po përkeqësohet çdo ditë.

Sa për zgjedhjet e 23 prillit, tha se jo veç partitë politike, por ato do t’i bojkotojnë të gjithë serbët dhe atë në mënyrë masive.

“Sa na përket neve, ato nuk ekzistojnë, por nuk përjashtojmë që Prishtina të provojë disa provokime, në mënyrë që të mundohet, si më parë, t’ua hedhë fajin serbëve”, ka theksuar Radojeviç.

“Ne u përpoqëm dhe po e përsërisim, në 10 vitet e mëparshme, ne provuam gjithçka, duke shkuar në zgjedhje, duke marrë pjesë në institucione, polici, gjyqësor, në nivel lokal, u përpoqëm të luftojmë për të drejtat tona përmes institucionet dhe përmes sistemit. Fatkeqësisht në këto dhjetë vjet nuk ia dolëm”, thekson Radojeviç, dy ditë para zgjedhjeve.

Zëri i popullit, nënvizon ai, ishte i qartë, pjesëmarrja në institucione të tilla nuk çon në asgjë.

Radojeviq tha se është “i zhgënjyer nga deklaratat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare të cilët mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve të tilla dhe të cilët kanë paralajmëruar se do t’i njohin rezultatet”.

“Nuk e di nëse ka ndonjë vend në Evropë ku zgjedhjet mbahen në këtë mënyrë, në kontejnerë të ruajtur nga forcat speciale të armatosura me armë të gjata”, deklaroi ai.

Të dielën, 23 prill, mbahen zgjedhjet lokale të jashtëzakonshme në 4 komuna. Sic ka njoftuar Komisioni Qendror Zgjedhor, për shkak të sigurisë, shumica e vendvotimeve do jenë në kontejnerë të improvizuar.

Nevoja për zgjedhje erdhi pas bojkotit të orkestruar nga serbët në institucionet e Kosovës, në të gjitha nivelet.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka vendosur të mos marr pjesë në zgjedhje.

Kjo ka ngritur pikëpyetje për legjitimitetin e zgjedhjeve, nëse numri i atyre që dalin të votojnë do të jetë fare i vogël.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore