Lajme

Ish-kryediplomatja kroate: Fitorja e Milatoviç-it është një plus për Vuçiç-in, ai do jetë plotësisht i lidhur me Serbinë


Vesna Pusiç

Për ish-shefen e diplomacisë kroate, Vesna Pusiç, fitorja e kreut të Lëvizjes “Evropa Tani”, Jakov Milatoviç, në zgjedhjet presidenciale të Malit të Zi, paraqet një rezultat që është më shumë në favor të Rusisë dhe regjimit të Aleksandër Vuçic-it në Serbi sesa Malit të Zi.

“Një rezultat që vë në pikëpyetje seriozisht pavarësinë dhe sovranitetin e Malit të Zi, dhe sigurisht vë në dyshim rrugën evropiane. Rruga evropiane, për mendimin tim, është shtyrë deri në një njoftim të dytë”, tha Pusiç.

Milatoviç mori mbështetje nga partitë e afërta me Serbinë, Rusinë dhe Kishën Ortodokse Serbe, prandaj sipas Pusiç, shihet se presidenti i sapozgjedhur (37-vjeçar) është 180 shkallë larg orientimit dhe vlerave evropiane.

“Kam shumë frikë për Malin e Zi dhe fatin e tij. Nuk ka asgjë nga rruga evropiane. Vendi do të jetë plotësisht i lidhur me Serbinë. Dhe ndoshta edhe pak më radikal, duke marrë parasysh interesat gjeopolitike të Rusisë. E vetmja pikë në detin Adriatik që nuk është e qëndrueshme”, tha Pusiç.

Presidenti aktual i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, sipas saj, në këto zgjedhje është dashur të shihet jo si një e ardhme, por vetëm si një lloj mburoje nga ndikimi ruso-serb në këtë moment, duke pasur parasyshë se ai ka qenë një aleat kryesor i Perëndimit.

“Nëse e ardhmja evropiane e Malit të Zi do të garantohej, do të shfaqej orientimi qytetar pro-evropian dhe politika e re e brezit të ri, por nëse nuk ka pavarësi dhe sovranitet, atëherë nuk ka asgjë për Malin e Zi dhe rrugën e tij evropiane”, theksoi Pusiç.

Udhëheqësi më jetëgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë do të zëvendësohet në krye të shtetit malazez nga një ekonomist i ri që ishte veç pesë vjeç kur Gjukanoviç dhe Partia Socialiste e Demokratëve (DPS) erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 1991.

Rëndësia e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në skenën politike malazeze shkon përtej asaj të zgjedhjeve të rregullta dhe ato kanë një rëndësi të madhe në skenën politike ndërkombëtare, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë dhe rritjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore